AktualitetTë fundit

Shqipëria largon dy diplomatë iranianë

Autoritetet shqiptare njoftuan sot se kanë urdhëruar dëbimin nga Shqipëria të dy diplomatëve iranianë, të cilët janë shpallur persona të padëshiruar. Lajmi është konfirmuar përmes një postimi në facebook nga ministri i jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka vendosur sot, që përfaqësuesit diplomatikë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, z. Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe z. Seyed Ahmad Hosseini Alast, të shpallen persona të padëshirueshëm, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Dy përfaqësuesëve të Republikës Islamike të Iranit ju është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë.”- shkruan Cakaj.

 

Kjo është hera e dytë që Shqipëria shpall përsona të padëshiruar diplomatë iranianë. Në dhjetor të vitit 2018, ambasadori i Iranit në Shqipëri, dhe një tjetër diplomat i ambasadës u dëbuan nga vendi pasi dyshoheshin të ishin përfshirë “në aktivitete që cënojnë sigurinë në vend”. Në atë kohë, mnistria e Jashtme shqiptare saktësoi se vendimi ishte marrë në konsultim me vendet aleate, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik.

 

Fraksion.com