Rama në banesën e re të familjes Koxhaj: Sot është dita e një fillimi të ri
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kodër-Kamëz, në shtëpinë e re të familjes Koxhaj, ku pas tërmetit të 21 shtatorit pllakosi dëshpërimi, sepse dëmet e shkaktuara e bënë të pabanueshme banesën e vjetër.
Por sot është dita e një fillimi të ri, tha Kryeministri, duke shtuar se “ne bëjmë çfarë themi dhe themi çfarë bëjmë”.
“Të gjithë familjet që humbën banesat individuale do të hyjnë në një shtëpi të re, më të mirë se ajo që kishin dhe brenda këtij viti”, siguroi kryeministri Rama.
Përveç tërmetit të 21 shtatorit 2019 që rrënoi plotësisht banesën, familja Koxhaj është përballur me fatkeqësi të njëpasnjëshme duke humbur dy djemtë dhe nënën e familjes.
Kryefamiljari Namik Koxhaj tha se 14 vite më parë, në 15 janar 2006 u nda nga jeta dhe djali i vogël i familjes, i cili u plagos nga një plumb qorr gjatë festimeve të Vitit të Ri. “Sot kemi edhe gëzim, sepse hyjmë në shtëpinë e re edhe hidhërim, pasi në 31 dhjetor 2006 u plagos djali 16-vjeçar. Qëndroi në jetë vetëm 15 ditë pas plagosjes”, thanë familjarët.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se “ndonjëherë harrojmë se kemi pasur një shtet ku festohej jo me fishekzjarre nga të gjithë, por me plumba nga të gjithë”. “Ndonjëherë harrojmë se ku ishim. Janë bërë tani 4 vite që nuk shiten më fishekzjarre, por vetëm nga bashkia, me vendim të qeverisë”, tha Veliaj.
Kryeministri Rama u shpreh se “kjo situatë nuk ka qenë para 100 vjetësh, por para 7-8 vjetësh”.
Veliaj informoi kryeministrin mbi situatën e rindërtimit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit.
“Ato të tërmetit të parë janë mbyllur, kanë ngelur edhe 3 të fundit. Janë ca shtëpi të tjera që do shkoj edhe unë sot. Në tërmetin e parë i bënim shtëpitë aty ku ishin, në tërmetin e dytë do zbatojmë porosinë tuaj, do t’i mbledhim aty ku janë. Është bërë gati gjithë terreni në Vaqarr për t’i grumbulluar, mbaroi terreni në Ndroq, në Pezë edhe në Kashar. Kemi tani Zall Herrin, po shohim terrenin aty dhe ne jemi gati me pastrimin dhe gjithë territorin”, tha Veliaj.
Duke informuar për zonën ai tha se “këtu po bëhet kopshti dhe pasi të mbaroj do të fillojmë në të gjitha rrugicat”.
Në anën tjetër, në Institut shkolla tjetër që keni financuar ju, shkolla “Nënë Tereza” do të jetë shkollë 9-vjeçare dhe e mesme në hyrje të Institutit Bujqësor në krah të majtë, që pamë atë ditë kur u shembën ndërtesat. Në momentin që kompletohet lagjja, çerdhja, kopshti, shkolla nuk ka nevojë që fëmijët të shkojnë dhe të dynden në Laprakë”, deklaroi Veliaj.
Ai shtoi se ky është viti i tretë që zona e gjithë kjo zonë nuk ka njohur përmbytje si pasojë e rehabilitimit të Lumit të Tiranës, sikurse ka ndodhur për vite e vite me radhë. “Viti i tretë ky që nuk kemi më probleme me përmbytjet te lumi, që kur mbaruam projektin e lumit. Kemi filluar tani gjithë këto parqet lineare. Para pak ditësh ishim në anën tjetër të lumit, te familja te “5 Maji”. Kështu që në momentin që janë stabilizuar shqetësohemi për halle të tjera, por jo më për përmbytje dhe shkolla, kopshte, çerdhe që kanë qenë hallet e para 4-5 viteve”, theksoi Veliaj.
Menjëherë pas tërmetit të 21 shtatorit, bashkia e Tiranës mori përsipër rindërtimin e të gjithë shtëpive të shpallura të pabanueshme. Thirrjes së saj iu bashkuan edhe shumë kompani të cilat bënë të mundur dhe futjen e familjeve të prekura në banesat e reja në kohë rekord.
Fraksion.com