AktualitetKosovaTë fundit

LDK publikon ofertën për VV’në: Kryeparlamentari na takon deri në zgjedhjen e presidenti; Numri i ministrive mbetet 12

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ia ka dërguar sot me shkrim propozimin e tyre Lëvizjes Vetëvendosjes, një ditë pas ofertës për bashkëqeverisje që LVV ia bëri LDK-së. Lidhja Demokratike e Kosovës në propozimin dërguar Lëvizjes Vetëvendosje është kthyer te oferta e tyre e vjetër, ku kërkojnë që LDK-ja ta ketë presidentin, krye parlamentarin dhe pesë ministri. LDK ka treguar se numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët.

Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti ka publikuar propozimin që LDK i ka dërguar Vetëvendosjes pas kërkesës së kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti.

Hoti ka thënë se LDK në të gjitha takimet ka qenë e gatshme që të ofrojë bashkëpunim për koalicion.

“LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).  Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me këto përjashtime”, ka shkruar ai në Facebook.

Ky është propozimi i plotë i LDK-së për VV-në:

Sot kemi dorëzuar me shkrim ofertën tonë për bashkëqeverisje me VV-në, të propozuar në takimin e datës 8 janar 2020.

Në këtë takim, dhe në të gjitha takimet e mbajtura deri më tani, LDK-ja ka shprehur gatishmërinë për qeverisje të përbashkët në interes të shtetit të Kosovës, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor 2019. Vetëm një marrëveshje që reflekton këtë vullnet siguron stabilitet qeverisës për mandat të plotë prej katër vitesh. Kjo marrëveshje duhet finalizuar sa më parë në mënyrë që të fillojmë zbatimin e programit qeverisës të dakorduar nga dy ekipet tona, që mundëson reforma të thella ekonomike, sociale, të sundimit të ligjit dhe të integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës.

Propozimet tona, të dorëzuara sot me shkrim, janë si vijon:

  1. LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).
  2. Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me këto përjashtime:
  3. a) Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
  4. b) Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
  5. Partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për Presidentit të vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja.
  6. Si rezultat i kësaj marrëveshje:
  7. Deri në zgjedhjen e Presidentit:
  • VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq
  • LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.
  1. Pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja:
  • VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq
  • LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.
  1. Të gjitha çështjet e tjera mbesin ashtu siç janë dakorduar në takimet e mëparshme.

Kujtojmë se gjatë natës së mbrëmshme nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka publikuar propozimin e Vetëvendosjes për arritjen e koalicionit me LDK-në e Isa Mustafës.

Bislimi ka shkruar në Facebook se në takimin e fundit me ekipin e LDK-së iu është thënë se propozimi i tyre do të dërgohet në Këshill të Përgjithshëm, e për këtë arsye thotë se është e pakuptimtë se në partinë e Isa Mustafës po deklarojnë se ende janë duke pritur për propozime të reja.

“Propozimi ynë i nxjerrë (si kompromisi i katërt brenda të njejtit takim), mbrëmë i është dërguar me shkrim kryetarit Mustafa. Në përpilimin e këtij propozimi,Vetëvendosje beson se është bërë edhe një kompromis shumë i madh, meqë gatishmëria për të rritur numrin e ministrive (nga të cilat VV nuk përfiton asesi), vetëm do e ekspozojë me pakënaqësitë e opinionit publik, i cili me të drejtë do të na sulmojë për lëvizje nga premtimi para dhe paszgjedhor për reduktim të numrit të ministrive në 12). Shumica e skenarëve që janë listuar nëpër media nuk janë nxjerrë nga propozimi origjinal, por janë më tepër të derivuara nga spekulimet që kanë qarkulluar në vazhdimësi në media”.

Në koalicion mes dy partive tashmë po e kërkojnë edhe miqtë ndërkombëtar. Vetëm gjatë ditës së djeshme në zyrat e LDK-së ka qëndruar ambasadori amerikan, Philip Kosnett, dhe gjithashtu ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker.

Walker ka takuar sot edhe kreun e VV’së, Albin Kurtin, të cilit ia ka dhënë një mesazh shumë të qartë, që të nguten dhe ta krijojnë qeverinë sa më shpejtë./Monitor

 

Fraksion.com