Komisioneri Varhelyi viziton Shqipërinë: Hapje sa më shpejt të negociatave
Komisioneri Varhelyi udhëton për në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për misionin e tij të parë në Ballkanin Perëndimor
Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Varhelyi do të udhëtojë në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri në 15-16 Janar për të theksuar angazhimin e Komisionit për perspektivën e pranimit në BE të të dy vendeve.
Përpara vizitës, Komisioneri Varhelyi tha se ” në vizitën time të parë si Komisioner në Ballkanin Perëndimor, në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, dua të dërgoj një sinjal të fortë që për Komisionin dhe për mua personalisht perspektiva e Bashkimit Europian për këtë rajon është një përparësi”.
Ne, theksoi Varhelyi, “qëndrojmë pranë propozimit tonë për të hapur bisedimet e pranimit me të dy vendet dhe ne po punojmë për ta bërë atë të ndodhë shumë shpejt”.
Komisioneri shton se, “në Shqipëri do të vizitoj edhe qytetin e Durrësit, i cili u godit rëndë nga tërmeti nëntorin e kaluar. Për të mbështetur rindërtimin e vendit, ne do të organizojmë një konferencë të donatorëve që do të mbledhë bashkësinë ndërkombëtare në Bruksel më 17 shkurt. Ne jemi tashmë në kontakt me donatorë dhe partnerë për të siguruar që konferenca të ketë sukses.
Në Tiranë, Shqipëri, më 16 janar, Komisioneri do të takohet me Presidentin Meta, Kryetarin e Parlamentit Ruçi, Kryeministrin Rama, dhe përfaqësues të parlamenteve kryesore të opozitës.
Komisioneri Varhelyi do të ketë një konferencë shtypi me Kryeministrin dhe më pas ata do të udhëtojnë së bashku në Durrës, qyteti i prekur kryesisht nga tërmeti i nëntorit.
Fraksion.com