AktualitetPolitikëTë fundit

50 shërbime online; Rama nga Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë: Administrata në këmbë për qytetarin

 Kryeministri Edi Rama ishte sot në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku 50 shërbime publike prej 1 janarit ofrohen online në e-Albania.

“Revolucioni dixhital 2020 transformon rrënjësisht marrëdhënien e drejtuesve të automjeteve me shtetin pa radha dhe pa rryshfet. Administrata në këmbë për qytetarin, jo më qytetari në këmbë për administratën”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “pjesa kryesore që mbetet një sfidë e madhe për ne është pjesa e dokumenteve të shtetit”. “Deri dje i thoshe qytetarit që duhet të mbledhësh këto dokumente, shko në filan zyrë, nga institucioni në institucion, nga rradha në rradhë, nga nga një sportel në tjetrin dhe hajde këtu pastaj me malin e dokumenteve. Tani ai nuk duhet të shkoj asgjëkundi në shtet, por për të gjitha dokumentet për llogari të tij do të merret shteti”, tha Rama.

Kryeministri tha se “këtu tani është problemi që të ndryshojnë ligjet për të gjithë ata që punojnë në sportele”. “E para, është krijuar një ide shumë e gabuar te disa, se do të mbyllen sportelet, do të më heqin nga puna, kur në fakt sportelet do të mbyllen, por atyre do t’u shumëfishohet puna, sepse do të bëjnë punën për qytetarët si shërbëtorë. Nuk do të jenë aty si polic trafiku: ‘e ke dosjen në rregull kalo, se ke ik’, por do ta mbushin vetë”, tha Rama.

Ai informoi se “ne do të kalojmë në qeveri një VKM sot dhe aty do të vendosim që e para afati ligjor nuk diskutohet”. “Pra nëse qytetari aplikon dhe i thua ke 15 ditë për të marrë atë, ai për 15 ditë do e marri. Në rast se një dokument shtetëror që duhej të merrej nga brenda administratës mungon, do të konsiderohet i dhënë, nuk do t’i thuhet qytetarit prit dhe do të gjobitet zyra përgjegjëse. Drejtuesi i zyrës nga rroga e tij do të gjobitet për shkelje të ligjit. Një herë, dy herë dhe herën e tretë të ikë fare pastaj. Ndryshe nuk funksionon, nëse ne i themi qytetarit do të plotësojmë ne dosjen dhe pastaj për shkak të mosplotësimit nga ana jonë vonohet qytetari”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, “në gjithë këto shërbime e zhduk komplet rryshfetin dhe radhët”. “Ai është një kod dhe del në një sistem që e punon. Nga ana e shtetit nuk ka asnjë që e ka në dorë fatin duke i marrë dokumentin, duke e vonuar etj. Kështu që kjo është kryesorja, pastaj faza tjetër është kur të bëhet e gjitha online, të aplikojnë online dhe të vijë licenca drejtpërdrejt në shtëpi, por rëndësi ka se qytetari e ndjek këtu, e sheh që ka dalë licenca dhe merr licencën”, vijoi Kryeministri.

Po ashtu, Rama informoi se sot “në mbledhjen e qeverisë do të zgjidhim çështjen e qytetarëve që janë jashtë”.

“Duhet që vulën elektronike shqiptare, që në shtetin tjetër ka nevojë për një sigël ta marri përsipër konsullata. Çdo konsullatë, çdo zyrë shërbimi jashtë duhet të marrë përsipër këtë njësoj si ne këtu. Qytetarët të mos kenë nevojë të vijnë me pushime dhe të shkojnë të marrin një dokument, apo të presin pushimet dhe të shkojnë të marrin dokumentin. Nga Italia, nga Gjermania, nga Amerika, nga Australia bën aplikimin e merr online. Dhe për ato raste kur duhet dokumenti për shtetin atje që ka të bëjë me vulë të thatë shkon në konsullatë dhe i vë vulën atij shërbimi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se qëllimi është për të sensibilizuar të gjithë se faza e asistencës nëpër sportele do të jetë një fazë tranzitore”. “Pra kush akoma nuk e përdor dot sistemin për arsye se nuk di etj, ka sportele ku janë të gjithë në dispozicion, por brenda një kohe 90 ditë maksimumi, sportelet do të mbyllen. Kështu që është mirë t’i mësoni këto lëvizje. Nuk janë shkencë, janë të thjeshta, në telefonin tuaj apo kompjuterin më të afërt”, tha Rama.

 

Fraksion.com