AktualitetTë fundit

Rindërtimi pas tërmetit; Ambasadorja Philippiddou: Greqia e gatshme të qëndrojë në krah të Shqipërisë

“Shqipëria ka një detyrë të vështirë përsa i përket rindërtimit dhe Greqia është e gatshme të qëndrojë në krah të saj si kemi bërë gjithmonë”, deklaroi sot ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Sophia Philippiddou.

Në fjalën e mbajtur në samitin ndërkombëtar me temë “Turizëm, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”, që u organizua sot në Tiranë, ambasadorja Philippiddou shprehu bindjen se ashtu si në rastin e Greqisë gjatë periudhës së krizës financiare, ku sektori i turizmit ndihmoi fort ekonominë, ne mendojmë shumë se edhe në Shqipëri sektori i turizmit do të ndihmojë pas tërmetit dhe në fazën e rikonstruksionit”.

“Produkti turistik është shumë i rëndësishëm për Greqinë dhe është një segment jashtëzakonisht i rëndësishëm i Produktit të Brendshëm Bruto. Një pjesë e mirë e destinacioneve turistike janë të ekspozuara ndaj sfidave të ndryshme, qofshin këto edhe sfida natyrore. Për këtë arsye, Ministria greke e Turizmit ka një sërë procedurash dhe paketash për të zbutur ose ulur impaktin negativ”, tha ajo.

Ambasadorja e Greqisë përmendi reagimin e Greqisë në rastin e falimentimit të kompanisë së njohur “Tomas Kuk”, si dhe në krizën e refugjatëve që zbarkojnë në brigjet greke.

“Dua të përmend dy incidente që kanë ndodhur dhe kanë qenë sfidë për Greqinë në lidhje me turizmin. Falimentimi në vjeshtë i kompanisë ‘Tomas Kuk’ pati një ndikim të madh shumë negativ në shumë vende, përfshirë këtu edhe Greqinë, sepse bëhet fjalë për miliona turistë. Në këtë rast, ministria greke e Turizmit ka një komision që merret me menaxhimin e krizës, që u lidh me kompani të ndryshme turistike, me agjenci turistike e hoteliere dhe vendosi disa procedura për të trajtuar të gjitha aspektet që kishin të bënin sidomos me personat që humbën vendet e punës dhe bizneset, apo që u ndikuan nga ky faliment”, tha ambasadorja greke.

Një tjetër sfidë, sipas saj, “janë hyrje-daljet e emigrantëve në ishuj të ndryshëm në Egje, ishuj turistikë si Kios, Samos dhe Lesbos”.

“Turizmi ra ndjeshëm gjatë vitit 2015 dhe autoritetet krijuan një plan veprimi për ta sjellë sërish Greqinë në hartën e turizmit, duke nxitur dhe promovuar ishuj të ndryshëm në seminare, konferenca apo duke ftuar operatorë e blogerë të ndryshëm, duke zbatuar kështu edhe fushata të ndryshme me medien dhe reklama të ndryshme. Gjithmonë e më shumë ka fenomene natyrore dhe të tjera që ndikojnë në destinacionet tona turistike. Për të qenë të përgatitur, kemi rritur bashkëpunimin me agjencitë e mbrojtjes civile”, tha ajo.

 

Fraksion.com