Policia e Kosovës arreston dy shtetas rusë
Policia e Kosovës, ka njoftuar se mbrëmë, më 13 janar, ka arresuar dy shtetas rusë – një burrë dhe një grua – në veri të Kosovës.
Në raportin 24 orësh, policia konfirmon se rasti ka ndodhur dje rreth orës 10:30 të mëngjesit, dhe që të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Ndërsa, vetura me të cilën po udhëtonin e që ishte me targa të Malit të Zi, u është konfiskuar.
“Janë arrestuar dy shtetas rus, një femër dhe një mashkull, nën dyshimin se të njëjtit me veturën e tyre me targa të Malit të Zi e kanë kaluar ilegalisht kufirin Serbi- Kosovë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje ndërsa vetura u është konfiskuar”, thuhet në raportin e policisë.
Ndërkaq, dje Burimet e Klan Kosovës, kanë treguar se Igor K dhe Marina V. janë dy shtetasit rus që po bartnin me vete edhe disa pajisje të dyshimta në veturë, të cilat kanë lidhje me fushën e sigurisë.
Siç mund ta vërehet edhe në foto, Igor K, njëri nga të arrestuarit është me veshje ushtarake, çka po dyshohet që ka përgatitje ushtarake.
Ndryshe, strukturat e sigurisë kosovare shumë shpesh po kanë telashe me shtetasit rus në Kosovë.
Vetëm para pak ditëve u raportua për disa të tjerë që po qëndrojnë në vend, e që po planifikojnë trazira në qytetin e Prizrenit.
Fraksion.com