AktualitetOp-EdTë fundit

Kriza në Iran; Çfarë dimë dhe çfarë jo?

Udhëheqja iraniane ndodhet nën presion në rritje pas goditjes aksidentale të një avioni me pasagjerë. Që nga fundjava njerëzit protestojnë në rrugë. Ata i akuzojnë pushtetmbajtësit se kanë fshehur fakte. Çfarë dihet?

Dhjetë ditë kanë kaluar që kur Shtetet e Bashkuara vranë gjeneralin e lartë iranian Ghassem Soleimani. Të dyja fuqitë u ndodhën në prag të luftës. Pastaj fleta u kthye: ndërkohë, ajo që po acarohet është situata e brendshme në Iran.

Çfarë dimë?

Rrëzimi i një avioni ukrainas të linjës pranë aeroportit të Teheranit u shkaktua nga Irani. Pas ditëve të tëra të mohimit, ushtria e pranoi të shtunën goditjen aksidentale. Një ushtar e pati konsideruan avionin një “aeroplan armik” dhe shkrehu një raketë, tha ushtria. E gjithë udhëheqja iraniane kërkoi falje për incidentin, në të cilin vdiqën 176 vetë.

Goditja bëri që të përmbyset gjendja shpirtërore në vend. Midis të vdekurve ka edhe shumë iranianë që jetojnë jashtë vendit dhe që patën vizituar familjet e tyre. Qindra vetë u mblodhën të shtunën (11.01) në mbrëmje para Universitetit Amir Kabir në Teheran  për të përkujtuar të vdekurit. Qëndrimi në heshtje megjithatë u shndërrua në një protestë të zemëruar, në të cilën demonstruesit kërkuan dorëheqjen e atyre që mbajnë përgjegjësi.

Dy dallime të rëndësishme

Edhe pse policia dhe ushtria u mblodhën përpara tre universiteteve të mëdha dhe vendeve të rëndësishme në Teheran të dielën (12.01), në rrugë dolën përsëri mijëra vetë. Në media të ndryshme sociale qarkulluan video, ku shiheshin demonstrues që thërrisnin “Vdekje diktatorit”, duke aluduar për njeriun më të fuqishëm të vendit, Ayatollah Ali Khamenei.

Që në nëntor në vend pati protesta të gjera, deri 1.500 vetë thuhet se u vranë. Por këtë herë ekzistojnë dy dallime vendimtare: protesta aktuale mbështetet nga shtresa e mesme, veçanërisht studentët. Në protestat e nëntorit ata mungonin. Edhe diçka tjetër është e ndryshme: interneti është akoma i hapur. Në nëntor, udhëheqja iraniane e bllokoi internetin për disa ditë. Këtë herë ai funksionon, video nga Teherani arrijnë në botë. Kjo gjithashtu ka pasoja për jashtë vendit.

Bota e jashtme vështron

Presidenti amerikan Donald Trump shkroi në twitter në anglisht dhe në persisht gjatë fundjavës për të shprehur solidaritet me demonstruesit iranianë. Ai i kërkoi udhëheqjes iraniane: “Mos i vritni demonstruesit tuaj”. Trump paralajmëroi gjithashtu që të mos mbyllet interneti. “Bota po vështron”, shkroi ai në twitter.

Edhe Kanadaja tregohet e pranishme. 57 nga 176 pasagjerët e vrarë në aeroplanin ukrainas të rrëzuar ishin kanadezë. Kryeministri Justin Trudeau u ka premtuar “drejtësi” të afërmve të viktimave. “Ne nuk do të pushojmë derisa të jepen përgjigje,” tha Trudeau në një ceremoni zie në Universitetin Edmonton në perëndim të vendit.

Kanadaja merr pjesë me një ekip ekspertësh në sqarimin e goditjes. Tre pjesëtarë të ekipit tashmë kanë mbërritur në Teheran. Ministri i Jashtëm Francois-Philippe Champagne njoftoi të Dielën se gjashtë ekspertë të tjerë kishin marrë vizë nga Irani.

A u hap zjarr?

Një nga çështjet më të mëdha të hapura është nëse protestat në Iran do të kthehen në të dhunshme. Videot që qarkulluan në twitter të dielën në mbrëmje, tregojnë tashmë pellgje gjaku në rrugët e Teheranit. Në video të tjera dëgjohen të shtëna.  Shihen edhe burra të armatosur, që me sa duket se janë pjesëtarë të forcave të sigurisë. Në disa video, forcat e sigurisë godasin demonstruesit me shkopinj. Njerëzit bërtasin, “mos i godit ata”. Dhe: “Qëndroni së bashku, përndryshe do të na arrestojnë”.

Sa të fuqishme janë palët?

E paqartë është edhe sa mbështetje ka në vend për gjeneralin Soleimani. Teherani i hodhi poshtë shprehjet e solidaritetit të Trumpit si “lotë krokodili”. Mbi të gjitha, ai kishte vrarë një “hero kombëtar”. Qindra mijëra vetë morën pjesë në funeralin e Soleimanit.

Sidoqoftë, nuk është e sigurt se në çfarë mase pjesëmarrja bëhet në baza vullnetare. Videot në Twitter tregojnë gjithashtu se iranianët grisin dhe u vënë flakën edhe posterave që tregojnë Soleimanin. Nëse vdekja e Suleimanit i bashkoi iranianët apo, përkundrazi, ajo nxorri në pah përçarjet e thella në vend, kjo është e diskutueshme./DW

 

Fraksion.com