DW: Konferenca e Libisë në Berlin po afrohet
Gjermania dëshiron të ndërmjetësojë në konfliktin e Libisë brenda këtij muaji. Tashmë po përvijohet një datë. Palët e konfliktit po negociojnë në Moskë për një armëpushim në vendin e Afrikës së Veriut.
Sipas transmetuesit CNN Türk, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të udhëtojë të dielën e ardhshme për të ashtuquajturin Proces të Berlinit në kryeqytetin gjerman. Merkeli dhe Erdogani folën në telefon për Libinë të dielën në mbrëmje. Edhe Rusia i mbështet përpjekjet e ndërmjetësimit të Gjermanisë.
Negociata në Moskë
Ndërkohë, dy kundërshtarët libianë, kryeministri Famet al-Sarraxh dhe gjenerali Chalifa Haftar, ndodhen në Moskë për të negociuar për kushtet e një armëpushimi zyrtar. E paqartë është nëse ata flasin me njëri-tjetrin personalisht.
Edhe ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Turqisë, si dhe diplomatë të tjerë të rangut të lartë nga të dyja vendet, kishin njoftuar pjesëmarrjen e tyre përpara se të fillonte takimi.
Natën duke gdhirë e diela hyri në fuqi një armëpushim i përkohshëm, për të cilin Haftari pati rënë dakord papritur. Të dyja palët megjithatë e akuzuan njëra-tjetrën që të dielën për shkeljen e armëpushimit.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha pas një telefonate me homologun e tij rus Vladimir Putin se një armëpushim “duhet të jetë i besueshëm, i qëndrueshëm dhe i verifikueshëm”.
Luftë me përfaqësim në shkretëtirë
Që nga rrëzimi i sundimtarit afatgjatë Muammar al-Gaddafi në vitin 2011, Libia nuk gjen qetësi. Gjithmonë ka fronte që ndryshojnë në luftën civile. Që prej pranverës së vitit 2019, Haftari me Ushtrinë e tij të vetëshpallur Kombëtare të Libisë, shënoi përparime të konsiderueshme në terren, duke e vënë në vështirësi gjithnjë e më të mëdha qeverinë në Tripoli, të njohur nga Kombet e Bashkuara.
Haftari ka donatorë dhe furnizues të fuqishëm si Rusia, Egjipti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe pas vetes. Edhe presidenti francez Emmanuel Macron konsiderohet si mbështetës i Haftarit, gjë që deri tani e ka bërë të pamundur që BE të ketë një pozicion të unifikuar.
Erdogani, nga ana tjetër, mbetet besnik i qeverisë Sarraxh, me të cilën Turqia sapo nënshkroi një kontratë për privilegje për naftën në Mesdheun lindor; edhe ish-fuqia kolonizatore Italia është në anën e qeverisë së Tripolit. Megjithë kritikat ndërkombëtare, Turqia ka vendosur të dërgojë ushtarët e saj në Libi.
Fraksion.com