Pelosi do t’i dërgojë në Senat akuzat kundër Trumpit
Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, e udhëhequr nga demokratët, do të vendosë të martën se kur do t’ia dorëzojë Senatit akuzat kundër presidentit Donald Trump, tha kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi.
Duke folur për lajmet në ABC, Pelosi tha se do të zhvillohet një votim për kohën e dorëzimit të akuzave.
Trump, republikan, akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit.
Dhoma e Përfaqësuesve i ka ngritur akuzat formale kundër tij në muajin dhjetor, ndërsa gjykimi kalon tani në Senat.
Nëse Senati e shpall fajtor – gjë që thuhet se ka pak gjasa pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët – Trump do të shkarkohej nga detyra.
Trump këmbëngul se nuk ka bërë asgjë të keqe dhe hetimet kundër tij i quan “gjueti shtrigash”.
Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e nëntorit.
Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.
Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare.
Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.
Fraksion.com