“Dy policët e Spaçit që na torturuan barbarisht mua dhe shokun e burgut”; Letra nga Chicago e të arrtisurit për “Amnesty International”
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Kaso Hoxhës me origjinë nga fshati Markat i Sarandës ku dhe kaloi fëmijërinë e tij, i cili u arrestua nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1974 për shkak se i gjetën në shtëpi disa poezi me përmbajtje armiqësore kundër regjimit komunist dhe u dënua me 10 vite burg, që i vuajti të gjitha në kampin famëkeq të Spaçit, dhe pasi doli në vitin 1985-së, mundi të arratisej në Greqi ku dhe fitoi azilin politik për në SHBA, ku jeton dhe aktualisht në shtetin e Chicago.
Si e përshkruan Kaso Hoxha në ditarin e tij që kishte mundur ta nxirrte nga burgu në fshehtësi të plotë dhe ia dërgoi Amnesty International, historinë e dhimbëshme të bashkëvuajtësit të tij, Dilaver Hasa, që vetë Dilaveri ia tregoi kur ata të dy vuanin dënimin në qelinë nr. 4 të Spaçit, ku i kishin futur për dënim pasi i kishin torturuar dy policët…?!
Letra e amigrantit politik, Kaso Hoxha, në 1985-ën nga Chicago për Melanie Anderson, sekretare e Amnesty International për degën e Londrës
Letër drejtuar Amnesty International
Sekretares zonjës Melanie Anderson
Për jetën e Dilaver Hasës, me origjinë Dibran
Dilaver Hasa, shoku i Qelisë nr. 4
Ka diçka jo të zakontë se si u njoha me këtë njeri në errësirat e përjetëshme të galerive në Minierën e Bakrit Spaç. Kishte kohë që kishte ardhur në Burgun 303 në Spaç, punonte në zonën e III-të, në këtë zonë që punoja dhe unë, por që isha tjetër turn. Sepse këtu punohej me tre turne pa pushim, duke i ndërruar turnet çdo javë, turni i parë kthehej i III-të, i II-ti kthehej i I-rë dhe i III-ti kthehej i II-të. Unë isha turni i parë kur u njoha me Dilaverin dhe Dilaveri ishte turni i III-të. Ai e linte punën në orën 6 e 30 të mëngjezit dhe unë në këtë orë kthehesha në galeri për të filluar.
Ishte ditë maji e vitit 1979, pranvera kishte kohë që kishte ardhur mbi tokë, por ne ishim të dënuar, as të mos shihnim gjelbërimin, as të mos ngroheshim në rrezet e diellit dhe as të mos thithnim ajrin e pastër të atmosferës, se ishim të dënuar të gjithë me vdekje, tortura e urisë dhe puna e rëndë na e merrnin shpirtin pak dhe nga pak.
Ne që ishim turni i parë po hynim në galeri, kurse turni i tretë që sapo kishte mbaruar punë, priste në rresht që polici t’i fuste në kamp. Me sa dukej nga të bërtiturat e të sharat e polic Ndue Dedës, një i burgosur akoma nuk e kishte mbaruar normën që i ishte caktuar.
Po ecja në errësirën e zezë të galerisë për të vajtur në vëndin e punës që ishte 2000 metra thellë, kur në një kryqëzim më del përpara Dilaveri. Këtij i ishte rrëzuar vagoni nga pjatina ku do të kthehej. Mundohej që ta kthente me një levë, por ishte e kotë se ai peshonte 1 ton. I lodhur i raskapitur nga puna dhe pagjumësia, nga uria dhe nga torturat, ai shante dhe mallkonte veten e tij. Fytyra e tij ishte e nxirë nga pluhuri i zi i bakrit, djersët i kullonin rrëke nga fytyra, sepse vete miniera me temperaturën e saj të lartë shkakton djersë, pa punuar, e jo më të punosh në kushte kaq të rënda të kësaj miniere primitive.
Kur e pashë në atë gjëndje aq të lodhur dhe të mjeruar këtë njeri, që ishte i panjohur për mua, më erdhi keq dhe e ndihmova të ngrinte vagonin që ta vendoste mbi shina. Ai më falenderoi, më pyeti se kush isha sepse si fytyrë më njihte, më shihte çdo ditë kur shkëmbeheshim në rrugë, por nuk na ishte dhënë rasti që të bisedonim e të njiheshim më nga afër. Që nga kjo kohë kishin kaluar më tepër se 6 muaj kur unë me Dilaverin pata mundësinë të njihem.
Ishte dhjetori i vitit 1979, data shtatë. Unë isha turni i dytë, po e merrja punën në orën 2 e 30 pasdite, kurse Dilaveri ishte i pari dhe po e linte punën. Që nga ajo ditë që u njohëm brenda në galeri, përshëndesnim njeri tjetrin, por sot Dilaveri nuk pati dot mundësi të më përshendeste, sepse polici Ndue Doda i kishte lidhur duart me tel dhe ja kishte përdredhur aq shumë sa teli ishte futur në mish, duart ishin enjtur dhe nxirë sepse ishte bllokuar qarkullimi i gjakut.
Binte një llohë bore dhe dukej se koha do të përkeqësohej. Të burgosurit që lanë punën prisnin në rresht që polici t’ju jepte urdhër që të futeshin në kamp. Ata ishin të lodhur, të uritur, në sytë e tyre ishin formuar rrathë të zinj, rrobat e tyre të lagura gjithë baltë, po qulleshin më tepër nga shiu i ftohtë që vazhdonte të binte.
E pashë Dilaverin tek po e torturonte polici. Ai mezi po e duronte dhimbjen duke shtërnguar nofullat e po vështronte me urrjejtje policin, atë egërsirë të pashpirt. Fatin e Dilaver Hasës e patën gjithë ata emigrantë shqiptarë që u kthyen në Shqipëri. Qeveria e Enver Hoxhës i mashtroi duke u premtuar se do t’i linte të lirë, por që këta njerëz sa shkelën në tokën shqiptare, u arrestuan, u morrën pasurinë dhe lekët duke ua konfiskuar dhe i dënoi me burgime të rënda që shkon deri 25 vjet. I tillë ishte fati i Zenel Spahiut me gjithë vëlla që u kthyen nga Franca, i Kipe Avdiut që u kthye nga Amerika, i Sabri Kodrës që u kthye nga Gjermania, e shumë të tjerë.
Këtë ditë pata edhe unë fatin e Dilaverit. Unë nuk pranova të punoja në një galeri të pa siguruar ku të kërcënohej jeta. Polici i turnit tim, Mark Marku më çoi në zyrën e tij, më lidhi me tela duar dhe këmbë, duke më mbërthyer pas shtyllës trupin (vënd torturash). Mbeta për orë të tëra i lidhur duke duruar dhimbjen e hekurave, shiun dhe të ftohtin, edhe gjuha më ishte lagur, trupi më ishte ngrirë i gjithi, shihja ëndrra sikur të isha narkoman. S’mbaj mënd se sa orë e durova këtë torturë mizore, por kur u përmënda, e pashë veten në biruca të izolimit, pranë më rrinte Dilaveri që u bënte masazh muskujve të mi që më kishin ngrirë..
Po ti, i them, çdo këtu?
Jam i dënuar edhe unë me izolim, sepse dje nuk kisha realizuar normën që më kishin caktuar, ma ktheu.
Dilaveri ishte rreth 45 vjeç kur akoma nuk ishte dobësuar, fytyra e tij dukej akoma më e freskët e shëndetëshme, shprehje shumë e mirë se si kishte jetuar në Suedi.
Në këtë birucë 1 metër e 40 cm. e gjër dhe 2 m. e gjatë, u dergja një muaj me Dilaverin.
Ja se çfarë me rrëfeu Dilaveri gjatë këtyre ditëve që torturoheshim bashkë në këtë birucë të betontë dhe të errët:
Kaso, unë kam qenë në parajs dhe me dashjen time dola andej duke hapur me duart e mija portën e ferrit, unë isha në qiell dhe tani rashë në fund të errësirës.
Dy lotë ju shkëputën nga sytë, u rrokullisën mbi faqe duke lënë një vijë të lagur mbi faqe.
Mos u mërzit Dilaver, kurajo, nuk je vetëm, u mundova ta ngushëlloj.
S’ke ç’të bësh, jeta është alternativë vuajtjesh ose fitoresh, rrota e fatit vërtitet si t’i teket, por ti mos ji pesimist, vazhdova unë!
Ah, jo Kaso, tani për mua morri fund gjithçka, pshehrëtiu Dilaveri.
“Isha 22 vjeç kur u arratisa nga Shqipëria dhe dola në Greqi. Isha nxënës i Fiskulturës, më pëlqente sporti, kur dola në Greqi isha plot shëndet. Kërkova të emigrohesha në Suedi dhe brenda tre muajve shkova në Suedi, (Stockholm), vazhdova një shkollë për Elektronik dhe më pas zura punë në një uzinë ku prodhohehsin aparate telefoni. U martova me një suedeze, isha i lumtur, por fëmijë nuk pata me këtë grua. Jetoja në një vilë në periferi të Stockholm. Herë mbas here shkoja turist në Greqi, Portugali, Spanjë, e gjetkë. Po papritur më vdiq gruaja dhe vetëm po mërzitesha sa s’thuhet. Shkova në ambasadën shqiptare në Stockholm dhe u kërkova që të më garantonin të kthehem në Shqipëri. Ata më premtuan duke më siguruar se do më lejnë të lirë. Erdha në Shqipëri duke marrë me vetë një pjesë të pasurisë sime të tundëshme me lëkët që arrijnë një vlerë me lekët shqiptare, rreth 30 miljon. Por këta hajdutë më rropën për së gjalli, duke më marrë edhe orën që kisha në dorë dhe rrobat e trupit. Tani unë jam këtu me ty i dashur Kaso, duke rënë me dashjen time, duke qenë i vetëdijshëm, që bëra vetëvrasje.
Ky ishte rrëfimi i Dilaverit në vija të përgjithëshme, por unë kuptova se në personin e Dilaverit fshihej një enigmë e madhe për jetën e tij dhe të familjes tij”.
Dilaveri u dënua me gjyq me dyer të mbyllura me 20 vjet burgim./Memorie.al
Fraksion.com