AktualitetTë fundit

Zbardhet krimi në Paskuqan; 34 vjeçari e vrau kunatën me sende tëforta në kokë

Dalin detaje të reja nga krimi tronditës në Paskuqan, ku kunati Eredet Çapoku vrau me sende të forta kunatën e tij 35-vjeçare, Enkeleda Çapoku.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:40 në Paskuqan.

Para dy vitesh viktima dhe autori i krimit jetonin në një shtëpi, por për shkak të konflikteve që kishin lindur, ata ishin ndarë dhe jetonin me qira, afër njëri-tjetrit. Gruaja jetonte me vajzën e saj 18-vjeçare, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në burg, i dënuar me 10 vite për drogë.

Nëna e viktimës, e cila ka qenë e pranishme në skenën e krimit, ka treguar për mediat se kunati e përndiqte Enkeledën, duke e parë kur ajo shkonte në punë, pasi punonte në një fabrikë këpucësh bashkë me vajzën, dhe duke i bërë fotografi në çdo moment. Më pas, fotot ia dërgonte vëllait të tij në burg, duke rritur kështu konfliktin mes familjes.

Për këtë arsye, gruaja e kishte denoncuar kunatin, duke marrë urdhër-mbrojtje në Komisariatin e Kamzës. Kjo kishte shtuar edhe më shumë përplasjet, duke bërë që ai mbrëmë të futet në banesën e saj, duke shkelmuar derën, dhe duke vrarë Enkeledën në sy të vajzës dhe nënës së saj.

Autori i krimit ka dhunuar më parë të trija gratë e familjes, dhe më pas duke vrarë kunatën.

Policia ka shkuar mënjëherë në vendngjarje, dhe ka shpallur në kërkim policor 34 vjeçarin i cili pas ngjarjes është larguar.

 

Fraksion.com