AktualitetPolitikëTë fundit

(Video) “Falë Zotit nuk kemi kafe se do luftonim nëse është turke apo greke”; Rama dolli mes batutash në Vjenë: OSBE si një familje

Mes batutash dhe një koktejli mjaft miqësor, kreu i qeverisë së Shqipërisë Edi Rama ka mbajtur një fjalim përpara diplomatëve të huaj në Vjenë, si dhe figurave politike shqiptare, duke shkaktuar të qeshura tek të pranishmit. As në këtë mbrëmje kreu i qeverisë nuk hoqi dorë nga veshja e tij karakteristike.

Rama tha se anëtarët e kësaj familje nuk janë njësoj, por forca e vërtetë qëndron pikërisht tek bashkimi i këtyre kombeve për qëllime të përbashkëta. Kreu i qeverisë, teksa tregoi edhe një pyetje që i kishte bërë një djalë zviceran, u përgjigj se si një vend si Shqipëria, e karakterizuar nga konfliktet, mund të drejtojë një organizatë si OSBE, ku fjala kryesore është konsensusi.

Duke përzier mes batutash traditat shqiptare dhe vendeve të tjera mike, Rama ngriti edhe një dolli me ta, por vetëm pasi gjeti gotën e cila siç ai u shpreh fatmirësisht nuk ishte me kafe, pasi do të niste një diskutim nëse kafja ishte greke apo turke.

“Jam shpresëplotë se kjo mbështetje nuk do të mungojë asnjë ditë. Jemi këtu si një familje, në të mirë dhe në të keq. Asnjë nga 57 vendet nuk janë njësoj. Edhe brenda një familje nuk janë të gjithë njësoj. Dhe sigurisht duhet të kemi diferenca në mendime dhe opinionet tona. Por në të njëjtën kohë nuk mund të neglizhojmë njëri tjetrin, pasi si familje duhet të përmirësohemi së bashku. Duhet të dialogojmë mes nesh, të kemi besim mes nesh dhe duhet të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë në të njëjtën çati, edhe në ato raste kur duket të jetë e pamundur. Në vitin 2020, kjo është sfida jonë, ta mbajmë familjen të bashkuar dhe të ndihmojmë njëri tjetrin, duke implementuar angazhimet së bashku. Çdokush nga ne duhet ta ketë këtë ambicie. Ndaj ju kërkoj sot që të përqafojmë idetë e njëri-tjetrit.

Vjen një djalosh zviceran nga Vjena dhe më thotë mua “Ju çunat në Shqipëri vetëm ziheni. Është natyrale. Dhe unë e pyes veten, “çfarë di ai për luftërat? Asgjë. Nuk ka luftuar kurrë në jetën e tij. Ju uroj që të kemi në prioritetet tona edhe mikpritjen. Si t’i bëni miqtë të ndihen pengje nga mikpritja. Deri në pikën kur nuk mund t’i ikin ushqimit, muzikës, pijes. Por nuk ka konsensus.

Ne kemi tradita të shumta në Shqipëri, edhe muzikë. Tani delegacioni grek dhe delegacione të tjera mund të kundërshtojnë duke thënë nuk është tradita juaj, por e jona. Dhe falë zotit nuk kemi kafe në fund, se do të ishte luftë nëse do ishte kafe turke apo greke. Vetëm dy gjëra nuk lufton dot, ekspresin italian dhe kafen gjermane. Edhe pse vetëm kafe nuk është. Nuk e di pse e kanë quajtur atë lëng kafe. Do doja të ngrija një dolli por nuk e di ku e kam gotën”, tha Rama.

Shqipëria mori zyrtarisht Presidencën e OSBE-së që do ta drejtojë përgjatë vitit 2020. Kreu i qeverisë prezantoi programin dhe përparësitë e Shqipërisë në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së. Dialogu, ishte kryefjala e përparësive në fjalimin e kreut të qeverisë shqiptare, por edhe lufta kundër krimit, ekstremizmit, anti-semitizmit, dhunës ndaj grave, toleranca, etj. Një tjetër përparësi sipas tij është edhe nxitja e lirisë së shprehjes dhe medias. Rama tha se misionin do ta nisë nga Ukraina.

 

 

Fraksion.com