Turqia dhe dërgimi i trupave në Libi
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan deklaroi të hënën se forcat turke do të bëjnë detyrën në Libi, pasi u dërguan aty për të mbështetur Qeverinë e Paqtimit Kombëtar.
Të dielën, zoti Erdogan konfirmoi fillimin e dërgimit të trupave drejt Libisë.
“Do të ketë një qendër operacionale (në Libi). Do të drejtohet nga një gjeneral lietnant turk dhe aty do të menaxhohet situata. Ushtarët turq po vendosen aty gradualisht”, tha zoti Erdogan. “Qëllimi i Forcave të Armatosura Turke nuk është të luftojnë, por të sigurojnë një armëpushim në Libi”, shtoi ai.
Qeveria në Libi sulmohet nga forcat e gjeneralit libian Khalif Haftar, i cili kontrollon Libinë lindore. Muajin e kaluar, parlamenti turk miratoi dërgimin e forcave ushtarake në Libi. Në muajin nëntor, Presidenti Erdogan pati nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me qeverinë libiane.
Ankaraja ra dakord edhe për një marrëveshje detare me Tripolin, e cila do të shtrinte kontrollin turk mbi një pjesë të rëndësishme të Detit Mesdhe.
Turqia është përfshirë aktualisht në një garë të fortë me vendet e rajonit, në kërkim të hidrokarbureve në mbarë Detin Mesdhe. Rivaliteti po zgjerohet tashmë edhe mbi kontrollin e gazit natyror.
“Është një lëvizje shumë strategjike e Turqisë, për të ndaluar krijimin e aleancave të reja anti-turke nga vende si Izraeli, Greqia dhe Egjipti”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Huseyin Bagci, i Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme. “Dërgimi i forcave turke në Libi është legjitim. Nga pikëmpamja strategjike kjo ka të bëjë me mbijetesën – a do të jetë Turqia në Mesdheun lindor apo jo?”
Ka pikëpyetje në rritje për qëndrueshmërinë e lëvizjeve të Ankarasë në Libi.
“Të gjitha këto zhvillime janë refuzuar haptazi nga komuniteti ndërkombëtar dhe vendet në rajon, pa asnjë përjashtim”, thotë studiuesi politik Cengiz Aktar, i Universitetit të Athinës. “Pra, Turqia është krejt e vetme në këtë sipërmarrje”.
Ankaraja po përballet me presion të shtuar diplomatik për planet e saj në Libi. Kancelarja gjermane Angela Merkel e diskutoi Libinë me zotin Erdogan, gjatë një telefonate të hënën. Javën e kaluar, Presidenti Donald Trump e pati këshilluar presidentin turk të bënte kujdes.
Egjipti, i cili mbështet gjeneralin Haftar, e dënoi veprimin e Ankarasë, dhe paralajmëroi për pasoja në rast se do të ketë bashkëpunim ushtarak me Turqinë. Ka gjasa që zoti Erdogan të përballet me presion të mëtejshëm të mërkurën, kur ai të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin, në Stamboll. Mercenarët rusë të organizatës paraushtarake ruse “Grupi Wagner”, që ka lidhje të forta me Kremlinin, mbështesin gjeneralin Haftar.
Analistët paralajmërojnë se vendimi i Ankarasë për të mbështetur ushtarakisht regjimin në Tripoli, mund t’i paraprijë fundit të tij.
“Shohim qartazi përpjekje për të përshpejtuar rrëzimin e kësaj qeverie në Tripoli”, thotë zoti Aktar. “Kam frikë se po shkojmë në këtë drejtim pasi qeverisë në Tripoli zor se i ka mbetur ndonjë aleat; ndoshta ndonjë në letër. Ndërsa forcat e Haftarit po kontrollojnë pjesën më të madhe të vendit. Për momentin duket se ata do të marrin plotësisht kontrollin dhe duket se i mbështet e gjithë bota. E vetmja që mbështet qeverinë në Tripoli është Ankaraja”.
Muajin e kaluar, gjenerali Haftar deklaroi si forcat e tij ishin të gatshme të merrnin Tripolin. Të shtunën, një sulm ndaj akademisë ushtarake në kryeqytetin libian vrau të paktën 30 persona dhe plagosi 33 të tjerë.
“Për momentin, situata duket se po ndihmon Haftarin. Ai ka armatim më të mirë. Ka avionë luftarakë. Ka superioritet në ajër dhe në tokë”, thotë zoti Bagci. “Nuk di me siguri çfarë lloji ushtarakësh do të dërgojë Turqia atje”.
Zoti Bagci shton se: “Erdogani e ndërmori hapin. Ai nuk do të lejojë që qeveria në Tripoli të bjerë. Ai do ta mbrojë deri në ushtarin e fundit, pasi Erdogani po rrezikon shumë tashmë. Mbërritja e forcave turke mund ta ndryshojë psikologjinë, balancën e forcave në Libi”.
Ish-ambasadori turk Mithat Rende, i cili tashmë punon si ekspert për energjinë, sugjeron se Ankaraja ndoshta beson se lëvizja e saj në Libi do t’i shtyjë palët drejt tryezës së negociatave.
“Ajo çfarë shohim në terren nëpër Mesdhe janë zonat ekskluzive ekonomike të vetëshpallura”, thotë ai. “Kemi breza kontinentalë të vetëshpallur dhe janë të gjithë të mbivendosur; kemi pikëpamje kontradiktore. Në këtë situatë, ligji ndërkombëtar sugjeron se duhet të negociohet për të arritur një marrëveshje të drejtë, të bazuar tek parimi i barazisë. Turqia është e përgatitur të negociojë”.
Zoti Aktar nuk është dakord.
“Nuk kemi parë ndonjë veprim diplomatik prej muajsh, ndoshta vitesh, që të punohet drejt negociatave”, thotë ai. “Të vetmet veprime që kemi parë janë afera dhe lëvizje agresive nga Ankaraja. Pra, qëllimi përfundimtar mund të jetë diplomacia dhe negocimi, por nuk kemi parë ndonjë hap konkret në këtë drejtim”.
Disa analistë vënë në pikëpyetje se sa larg mund të jetë i gatshëm të shkojë Erdogani me ofrimin e mbështetjes ushtarake për Tripolin, në rast se forcat turke nuk arrijnë të zbrapsin forcat e gjeneralit Haftar dhe në rast se rivalët rajonalë e ngurtësojnë qëndrimin e tyre.
“Turqia nuk ka kapacitete për këto lloj operacionesh jashtë zonës”, thotë zoti Aktar. “Do të jetë shumë e rrezikshme, e kushtueshme, dhe me pasojë në jetë vazhdimi i këtij bashkëpunimi ushtarak, në rast se do të duhen më shumë forca ushtarake për të mbajtur në fuqi këtë marrëveshje me Tripolin”./VOA
Fraksion.com