Rama: Rreth 8190 familje kanë përfituar bonus të paguar nga shteti
Kryeministri Edi Rama ishte sot në njësinë numër 8 në Tiranë, në familjen e Dallëndyshe Lurit, e cila u godit nga tërmeti e humbi strehën dhe sot, njësoj si mijëra familje të tjera të prekura është sistemuar në një shtëpi me qira.
“Deri në ndërtimin e shtëpisë së re apo meremetimin e shtëpisë së dëmtuar, familja e Dallëndyshes dhe të gjitha familjet që kanë humbur shtëpinë në qytetet e prekura, rreth 8190 të miratuara aktualisht, do të qëndrojnë me qira të paguara nga shteti”, – tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “ne duam t’i përcjellim të gjithëve atë mesazhin se do të qëndrojnë nën kujdesin tonë në shtëpitë me qira deri kur të jenë gati shtëpitë”. Rama tha se faktikisht në Tiranë, “nuk kemi probleme fare”. “Por kemi pasur nja dy probleme me disa në zonën e Kurbinit dhe në zonën e Krujës, që ishin në hotel nuk donin të dilnin etj., por pak nga pak po i sistemojmë edhe ata”, – shtoi Kryeministri.
“Njeriu është krijuar për të harruar shpejt të keqen, shqiptari është edhe më i shpejtë. Tani natyrisht që sidomos për godinat me shumë banesa na duhet një vlerësim inxhinierik i thelluar, që duhet marrë në fund mendimin e grupeve të inxhinierëve ia vlen apo jo, duhet shembur apo duhet të meremetohet, sepse përndryshe nxjerrim sytë për të vënë vetullat”, – tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ne kemi vënë gjithë fondin në dispozicion dhe bashkitë kanë hapur procesin e kontraktimit të grupeve për vlerësimin e thelluar, ndërkohë që vlerësimi paraprak është bërë. Tani duhet vlerësimi final, çfarë do të ndodhë me këtë pallat? Duhet ta prishim, apo ta mbajmë, që të jemi ligjërisht në rregull, por edhe nga pikëpamja teknike të mos kemi asnjë dyshim”, – tha Rama.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se “familja e Dallëndyshes me bonusin e qirasë që ka marrë vendosi të marrë një vilë këtu, se sa një apartament të Medreseja”.
“Për pallatin do të bëhet studim i thelluar me fondin që akorduat Ju për studimin e thelluar. Bonusi i qirasë na jep ne komoditetin që të mos i bëjmë me ngut vlerësimet e thelluara. Për sa kohë që familja ka qira 1 vit, kemi gjithë kohën e nevojshme që t’i themi inxhinierëve: merrni gjithë kohën për të bërë testet e betonit, të hekurit dhe na jepni një përfundim për të mos i bërë gjërat me ngut. Tani që po vinim kishim një debat me disa që thonë: na bëj kopshtin e shkollat më shpejt. U thashë se ne do të fusim kalamaj dhe jo bagëti, kështu që më mirë t’i bëjmë tamam këto gjëra dhe vendimin final do t’jua sjellim Ju dhe pastaj në varësi të vendimit do të financojmë shtëpitë e reja”, – iu drejtua Veliaj, Kryeministrit Rama.
Veliaj tha se “sapo kemi marrë një aplikim në Tiranë për 300 taksi elektrike”. “Ata më kanë kërkuara 300 shoferë për taksi elektrike, pas vendimit që mori qeveria në fund të vitit që e bëri taksën zero për mjetet elektrike, që janë me zero ndotje. Është shtuar shumë interesi dhe për autobusët, dhe për taksitë”, – tha Veliaj.
Ai e informoi Kryeministrin se “kemi filluar rehabilitimin e lumit, është bërë korsia e biçikletave dhe tani po bëhet gjithë bregu”.
Fraksion.com