AktualitetPolitikëTë fundit

PD nxjerr dokumentin e dënimit të Ismailajt në Greqi

Partia Demokratike publikoi sot një dokument të autoriteteve greke që dëshmon sipas saj se kryetari aktual i Bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj, është dënuar me 3 vjet burgim në Greqi.

“Sipas vërtetimit me nr. Protokolli 405 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Athinë, Edi Rama i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000. Ai është dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin për shkak të mosgjetjes në territorin grek”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi, duke treguar dokumentin.

Dy ditë më parë, duke ju përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike  Ismailaj mohoi të ketë qenë ndonjëherë i dënuar, duke i qëndruar besnik deklarimit që ka bërë në formularin e plotësuar për kandidimin në postin e kryebashkiakut.

Bardhi, tha se sipas ligjit të dekriminalizimit, “ai nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik, aq më pak të jetë kandidat për Kryetar Bashkie. Ai është subjekt ndalimi sipas ligjit dhe duhet menjëherë të procedohet penalisht për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit”, deklaroi  Bardhi.

 

Fraksion.com