Marsh në Graçanicë, në mbështetje të KOS-it në Mal të Zi
Disa qindra qytetarë serbë të Graçanicës, nën organizimin e organizatave të të rinjve dhe me mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, kanë mbajtur një marsh protestues.
Marshi protestues është organizuar me qëllim të mbështetjes së Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Protestuesit pretendojnëse Kishës Ortodokse Serbe i janë shkelur të drejtat në Mal të Zi, me Ligjin për të lirinë fetare që është miratuar në këtë shtet, më 26 dhjetor të vitit të kaluar.
Qytetarët serbë kanë marshuar nga Shtëpia e Kulturës e deri te Manastiri i Graçanicës, ku u është mbajtur një ritual fetari lutjeve.
“Për këtë shkak, sot dhe nga ky vend, u bëjmë apel autoriteteve në Mal të Zi, që të dëgjojnë zërin e shumicës së popullit të vet dhe kishës së vet…dhe të tërheqin ligjin e kontestuar dhe t’i respektojnë të drejtat dhe liritë e Kishës tonë në Mal të Zi”.
Marshi protestuese ka kaluar pa ndonjë incident dhe pas ritualit fetar, qytetarët janë shpërndarë.
Protestat në Mal të Zi, të organizuara nga Kisha Ortodokse Serbe, në kundërshtim të miratimit të Ligjit për lirinë fetare, kishin nisur tri ditë para se ky ligj të miratohej më 27 dhjetor.
Ky ligj, siç është thënë, i jep mëvetësinë Kishës Ortodokse të Malit të Zi dhe mbi pronat kishtare të caktuara.
Sipas këtij ligji, “të gjitha objektet fetare, të cilat kanë qenë pronë e shtetit të Malit të Zi, para humbjes së pavarësisë së saj në vitin 1918, e të cilat më vonë nuk kanë kaluar në formë juridike në pronësi të ndonjë bashkësie fetare, do të njihen si pronë shtetërore dhe do të shënohen si thesar kulturor”.
Në natën ndërmjet 26 dhe 27 dhjetorit, kur edhe u miratua ligji, kishte ndodhur një incident në Kuvendin e Malit të Zi.
Deputetët e Frontit Demokratik tentuan ta ndërpresin seancën e Kuvendit të Malit të Zi. Ata hodhën gaz lotsjellës në Kuvend dhe u konfrontuan edhe fizikisht me deputetët e shumicës në pushtet.
Po të njëjtën ditë, patriarku i Kishës ortodokse Serbe, Irinej, u kishte bërë thirrje autoriteteve malazeze që “të ndalojnë me dhunën dhe grabitjen e pronës së kishës”.
Protestat kundër Ligjit për lirinë fetare, kanë vazhduar nga pasuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi edhe në ditët në vijim. Protesta në dhjetor janë organizuar edhe në Beograd dhe në Banja Llukë, në Republikën Serbe, e cila është në kuadër të Bosnjë e Hercegovinës.
Ligji për lirinë fetare në Mal të Zi ka hyrë në fuqi të mërkurën, më 8 janar.
Të njëjtën ditë, një miting në kundërshtim të Ligjit për lirinë fetare në Mal të Zi është organizuar, pranë tempullit të Shën Savës në Beograd nga Kisha Ortodokse Serbe.
Fraksion.com