Kosova ndan fonde për koalicionin kundër Shtetit Islamik
Qeveria në largim e Kosovës, vendosi të premten të ndajë 250 mijë euro, (afërsisht 277 mijë dollarë) për koalicionin ndërkombëtar kundër grupit militant, Shteti Islamik.
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj tha pas mbledhjes së qeverisë se “nga ky veprim jo vetëm që forcohen veprimet në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit por edhe forcohet pozicioni i Republikës së Kosovës, si shtet i përkushtuar në luftimin e terrorizmit global”.
Ai theksoi se Kosova “është rreshtuar përkrah SHBA-ve në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë për të gjithë popujt paqedashës dhe ka ndërmarrë veprime konkrete në luftimin e propagandës, ndjekjen dhe dënimin e luftëtarëve të huaj terrorist, mbylljen e organizatave jo-qeveritare të cilat merreshin me financim dhe me përhapjen e propagandës, e që një pjesë e tyre financoheshin drejtpërdrejtë nga Irani, si dhe parandalimin e akteve terroriste brenda dhe jashtë vendit”.
“Fatkeqësisht edhe Kosova është prekur nga kjo luftë, ku disa qytetarë kanë shkuar atje. Në kuadër të pjesëmarrjes në këtë koalicion, ne i kryejmë obligimet. Kosova është e gatshme të kryej obligimin ushtarak, policor, inteligjencës e obligime logjistike ndaj këtij koalicioni”, tha zoti Haradinaj.
Që nga viti 2012 afro 400 qytetarë të Kosovës ishin përfshirë në luftërat në Siri e Irak dhe një pjesë e tyre luftuan përkrah grupit militant Shteti Islamik. Disa dhjetëra kanë humbur jetën në ato luftëra, ndërsa nëpër vite mbi 120 janë kthyer prej andej vullnetarisht.
Në prill të vitit të kaluar, 110 persona nga të cilët 32 gra, 74 fëmijë dhe 4 burra, u kthyen në Kosovë në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Prokuroria e Posaçme e Kosovës deri tash ka ngritur aktakuza ndaj 20 prej 32 grave të kthyera të cilat ngarkohen për veprat penale “organizim dhe pjesëmarrje ne grup terrorist” dhe “bashkim apo pjesëmarrje në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, ne organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit te Republikës se Kosovës”.
Gjatë dy ditëve të fundit, dy nga gratë e kthyera janë dënuar me nga dy vjet heqje lirie më kusht nga një gjykatë në Prishtinë nën akuzën për “pjesëmarrje në grup terrorist”
Në vitin 2015 parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që ndalon bashkimin në luftëra të huaja dhe parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie.
Zoti Haradinaj, i cili më vonë gjatë ditës takoi zyrtarët e ministrisë së Brendshme që punojnë në Divizionin për ri-integrimin e personave të kthyer nga Siria, tha së fondet e ndara të premten janë më pak sesa mbështetja që ka marrë Kosova nga koalicioni ndërkombëtar në procesin e kthimit të qytetarëve të saj nga vatrat e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Rënia e grupit militant Shteti Islamik, që dikur kontrollonte mbi 100 mijë kilometra katrorë territor dhe së paku tetë milionë njerëz, ka bërë që shumë luftëtarë të tij të kapen ndërsa familjarët e tyre të mbahen kampeve të ndryshme.
Por, me gjithë rënien e tij, nuk kanë përfunduar edhe shqetësimet për sigurinë në vendet e prejardhjes së luftëtarëve të huaj./VOA
Fraksion.com