Kashmir: Gjykata Supreme e Indisë kërkon rishikim të vendimit për internetin
Gjykata Supreme në Indi i ka kërkuar qeverisë të rishikojë brenda një jave, pezullimin e shërbimeve të internetit në Kashmirin e administruar nga India.
Ky rajon nuk ka qasje në internet për më shumë se 150 ditë, duke shënuar bllokimin më të gjatë të këtij lloji në Indi.
Qeveria ka pezulluar qasjen në internet, bashkë me shërbimet e komunikimit me telefonë në Kashmir, para se t’i largonte autonominë e pjesshme këtij territori më 5 gusht të vitit të kaluar.
Gjykata ka marrë këtë vendim, pasi u është përgjigjur peticioneve të shumta për të sfiduar këto kufizime.
“Pezullimi i plotë i qasjes në internet mund të shqyrtohet vetëm si masë e jashtëzakonshme”, ka thënë gjyqtari, NV Ramana, teksa ka lexuar vendimin të premten, duke thënë se qasja në internet është pjesë e lirisë të shprehjes që garantohet me kushtetutë.
Juria prej tre gjyqtarëve po ashtu ka thënë se kufizime të tilla të internetit mund të jenë vetëm të përkohshme.
Në muajin tetor të vitit të kaluar, parlamenti ka ndarë edhe zyrtarisht Jamunë dhe Kashmirin në dy territore federalisht të administruara, të cilat drejtohen tani drejtpërdrejt nga kryqyteti, Nju Delhi.
Ky vendim është komentuar si synim i Qeverisë indiane për të kontrolluar Kashmirin që administron.
Përndryshe, Kashmiri është i ndarë në mes të Indisë dhe Pakistanit, ndonëse për tërsinë e këtij territori kanë pretendime të dyja shtetet.
Fraksion.com