AktualitetBota+Të fundit

40 vjet: “Të Gjelbërit” në Gjermani, nga protesta në parti popullore

Dikur një përzierje e larmishme, sot një parti e qendrës. Para 40 vjetësh u themelua partia “Të Gjelbrit”. Rrugëtimi i saj drejt konsolidimit si një histori suksesi.

 Ishte një përzierje e larmishme, që u mblodh më 12 dhe 13 janar 1980 në Karlsruhe: Veteranë të lëvizjes studentore të viteve 1968, aktivistë të mjedisit, luftëtarë të paqes, konservatorë, mbrojtës të kafshëve, aktivistë të të drejtave të gruas, komunistë. Shumë burra mbanin mjekër të gjatë dhe kominoshe pune me ngjyra të ndryshme, gratë pulovra të thurur vetë me shtiza. E në fund të mbledhjes lindi një parti e re, që do ta ndryshonte vendin. Kështu u themelua partia “Të Gjelbërit”.

Deri në atë kohë një sistem i mbyllur partishë

Për partitë e konsoliduara në Gjermani kjo ishte diçka, që ato nuk e njihnin. Që pas fundit të luftës CDU, CSU, SPD dhe FDP e përcaktonin vet politikën në Republikën Federale të Gjermanisë. Por më 1983 “Të Gjelbërit” ia dolën që të përfaqësohen në Bundestag  (parlamenti gjerman), ku ata u pritën si të çuditshëm dhe “fëmijë kryeneçë”. Një brez, që karakterizohej prej lëvizjes së fundit të viteve 60-të, shumë shpejt mori funksione vendimmarrëse në partinë ekologjiste. Ndër ta bënin pjesë edhe Otto Schily, avokati i majtë, që i dha tonin grupit parlamentar të kësaj partie në Bundestag. Joschka Fischer, rebeli i gatshëm për dhunë që bashkëvepronte në qarqet e autonomëve në Frankfurt, në vitin 1985 u zgjodh prej “Të Gjelbërve” në landin e Hessenit si ministi i parë i Mjedisit.

Nga partia kundër partive tek përgjegjësia në qeveri

Marialuise Beck mbante të veshur një pulovër angora në ngjyrë livandoje, të punuar me dorë. Ajo ishte njëra ndër 28 “të rinjtë”, që në zgjedhjet e 6 marsit 1983 u zgjodhën nga radhët e partisë ambientaliste si deputetë për në Bundestag. Duke filluar që nga paraqitja e jashtme ata dallonin nga të tjerët. “Kjo ishte marramendëse, pothuajse as ata vet nuk e besonin. Në atë kohë ky ishte absolutisht një shok për të gjithë skenën politike në Bon”, kështu e kujton Marialuise Beck ngjarjen në fjalë.

Pranë saj qëndronte i ulur me kostum dhe kravatë, Helmut Kohl, që atëherë ishte kryetari i partisë kristiandemokrate (CDU). Më 29 mars 1983 në rendin e ditës së Bundestag-ut ishte zgjedhja e kancelarit të Gjermanisë. Pas shpalljes së rezultateve dhe fitores së pritshme të Kohlit, ajo i prezantohet atij dhe i jep urimet për zgjedhjen: jo sipas zakonit duke i dhuruar një buqetë me lule, por një degë të tharë pishe. “Unë isha ajo që duhej të përcjellja mesazhin e një iniciative qytetare, që luftonte kundër zhdukjes së pyjeve, dhe që pas zgjedhjes së pritshme duhej t’ia dhuroja këtë shenjë simbolike  kancelarit të ardhshëm”, tregon Marialuise.

Parita ambientaliste ishte formuar vetëm tre vjet para se nëpër rrugët e  Gjermanisë Përendimore të vërshonin njezërit, që protestonin kundër dislokimit të raketave nukelare amerikane me rreze të mesme veprimi, sepse ky veprim sinjalizonte shkallëzimin e ardhshëm në garën e armatimeve. Në një sfond të tillë në janar të vitit 1980 u bashkuan aktivistët, që luftonin për mjedisin, paqën dhe të drejtat e njeriut. Koncepti i tyre ishte: “ekologjik, me bazë demokratike, socialist dhe pa dhunë”, pra një “parti kundër partive”.

Ky ishte emri i gjetur nga ideatorja karizmatike Petra Kelly. Sipas saj të Gjelbërit duhej të ishin më shumë një lëvizje se sa një parti.

Në mesin e viteve 1990 Të Gjelbërit u forcuan. Në vitin 1998 ata për herë të parë u bënë pjesë e qeverisë duke hyrë në koalicion me socialdemokratët (SPD). Joschka Fischer u emërua ministër i Jashtëm dhe zëvendës-kancelar. Tani kishte ardhur koha që kjo parti të dëshmojë aftësitë për qeverisje dhe vizionin për realizimin e koncepteve të saj politike. Një provë e rëndësishme në këtë drejtim ishte votimi në Bundestag për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë në vitin 1999 dhe marrëveshja me industrinë e energjetike në vitin 2000 për shkëputjen graduale nga energjia bërthamore deri në vitin 2021. Për kundërshtarët e energjisë bërthamore ky ishte një hap që pritej me padurim.

Kur ministri i Mjedisit, Jürgen Trittin, u detyrua të japë urdhërin për transportimin e kontenjerëve me mbetjet radioaktive, qindra vetë nga baza e të gjelbërve vërshuan në protesta në rrugë – por kësaj radhe kundër politikës jo bindëse të partisë së tyre. “Si Joschka Fischeri, i cili konsiderohej si realist, ashtu edhe Jürgen Trittin, i cili konsiderohej si majtist, i kanë mësuar partisë një gjë, që kompromisi mes qeverisë dhe parlamentit është i pashmangshëm dhe se pozicionim jashtë tyre është i pamundur”, shpjegon Marialuise Beck.

“Vendimi rreth Kosovës ishte për atë arsye i vështirë, sepse etika e ndërhyrjes dhe ajo e mosndërhyrjes u përballën me njëra-tjetrën. Por njerëzit jo vetëm që kishin marrë arratinë, por kishte edhe viktima në radhët e popullsisë civile. Pas Srebrenicës ne duhej të parashikonim më të keqen”, kujton politikania e gjelbër. Në vitin 1995 nën udhëheqjen e gjeneralit Ratko Mladic një grup ushtarësh serbo-boshnjakë kishin kryer një masaker ndaj qindra myslimanëve boshnjakë.

“Të Gjelbërit” pas fundit të koalicionit me socialdemokratët

Në vitin 2005 koalicioni SPD-Të Gjelbërit i përkiste historisë. “Të Gjelbërit” sërish u ulën në bankën e opozitës. Kur pas gjysmë viti u tërhoq nga skena politike Joschka Fischer, i cili për shumë ishte figura kryesore e kësaj partie, disa e konsideruan këtë si humbje të partisë. “Po, sigurisht që shqetësimi ishte: Si do të jetë partia e gjelbër pa Joschkan, a do të mund të ekzistojë ajo pa të? Por zhvillimet tregojnë se partia ‘Të Gjelbërit’ mbështete në temat që ajo trajton”, thotë me bindje të plotë Beck.

Siç duket partia kishte personel të përgatitur për ta përballuar largimin e Fischerit. Pikërisht në Baden-Württemberg, landi gjerman që njihet edhe si vendi i automobilëve, ata përfaqësohen për herë të parë me një kryeministër: Winfried Kretschmann, një politikan me shumë popullaritet. Në kryeqytetin e këtij landi, në Shtutgart, për herë të nga radhët e “Të Gjelbërve” ka dalë kryetari i komunës. Partia është kandidate e mundshme edhe për të qenë partnere koalicioni me kristiandemokratët konservatorë. Në sondazhe “Të Gjelbërit” dalin më mirë se kurdoherë më parë.

Prej muajsh konstant në elektorat me mbi 20 përqind

Qëkurse mbrojtja e klimës renditet në krye të agjendës politike, kuotat në sondazhet me elektoratin për partinë “Të Gjelbërit” janë konstante me mbi 20 përqind, ndërkohë kjo parti bashkëqeveris në koalicione në 11 nga 16 landet në Gjermani. Në zgjedhjet për Parlamentin Europian “Të Gjelbërit” shënuan një rezultat rekord me 20,5 përqind. Gjatë pesë viteve të fundit kjo parti ka pasur vazhdimisht rritje. Edhe nëse kritikët e damkosin këtë parti edhe sot si “partia që do t’i ndalojë të gjitha”, shumë të rinj bashkohen me radhët e saj. Numri i anëtarëve sot ka arritur nga rreth 60.000 në aktualisht gati 100.000. Një ndër të rinjtë ekologjistë Georg Kurz, është zëdhënësi i organizatës së të rinjve “Rinia e Gjelbër”. Përjetimi i tij më i rëndësishëm me Të Gjelbërit është ende i freskët, sikurse i tha ai DW: “Nga viti i kaluar, duke parë se si po ndryshojnë kohët, se sa shumë njerëz po e kuptojnë, që kështu nuk mund të vazhdohet, që ne duhet të ndryshojmë rrënjësisht. Në fakt pikërisht tani po nis një fazë vendimtare në historinë e Të Gjelbërve.” Konkretisht lufta ndaj ndryshimit të klimës. Shumë vëzhgues mendojnë, se Të Gjelbërit kanë një shans të mirë, që të bashkëqeversin sërish në Berlin pas zgjedhjeve të ardhëshme më 2021. Perspektivë kjo, që në janarin 1980, dyzet vjet më parë, askush nuk mund ta përfytyronte./DW

 

Fraksion.com