Shqipëria dhe Kosova dënojnë sulmet iraniane
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta tha të mërkurën se Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta.
Komentet e tij pasuan deklaratat e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, i cili më herët gjatë foli pwr “një vend shumë të vogël, por të djallëzuar evropian, ku amerikanët bashkëpunojnë me tradhtarët e Iranit kundër Republikës Islamike”, duke ju referuar Shqipërisë ku janë strehuar dy mijë pjesëtarë të lëvizjes opozitare iraniane Mojahedin-e-Khalq.
Presidenti Meta shkroi të mërkurën në rrjetet sociale se “raketat e lëshuara nga Irani drejt dy bazave ushtarake irakiane që strehojnë ushtarakë amerikanë dhe personel të koalicionit, janë një veprim provokues me pasoja të rrezikshme për rajonin dhe stabilitetin e tij. Irani duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet ndërkombëtare dhe detyrimet e tyre në interes të paqes.
Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta.
Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dënoi sulmet iraniane me raketa kundër forcave amerikane.
Duke folur me gazetarët në Vjenë, ku nesër pritet të flaës përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, në cilësinë e kryesuesit të radhës së kësaj organizate, kryeministri Edi Rama tha se prania në Shqipëri e mbi 3 mijë muxhahedinëve, që njihen dhe si opozitarët e rregjimit Iranian, nuk e ekspozon në mënyrë të posaçme vendin e tij, në këto momente të një konflikti të ashpër mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kjo është një temë dhe është një çështje që nuk është e re për ne, në raport me Iranin. Ne kemi ndërmarrë një veprim që i bën nder Shqipërisë që është në vazhdën traditës shqiptare, që është në vazhdën e një aleance strategjike të panegociueshme, të padiskutueshme me Shtetet e Bashkuara, për të mikpritur apo për t’i hapur dyert një grupi njerëzish që janë në rrezik për jetën. E siç shkruhet dhe në marrëveshjen që ne kemi bërë, ata në Shqipëri janë si rezultat i një operacioni humanitar, jo politik, humanitar”, shpjegoi kryeministri Rama.
“Megjithatë – vijoi ai -unë nuk besoj që kjo e ekspozon në mënyrë të posaçme Shqipërinë dhe nuk kemi arsye të besojmë këtë, pikërisht sepse ne jemi në kontakt permanent me aleatët tanë dhe kur është puna tek inteligjenca, besoj që ata janë të pa konkurrueshëm botërisht dhe si të thuash, në këtë rast, ne jemi në duar të sigurta kur është fjala tek marrja e informacionit dhe nuk kemi arsye objektive të besojmë që ka një ekspozim të veçantë, por nga ana tjetër sigurisht që jemi të angazhuar dhe jemi si të thuash, të angazhuar në përditshmëri për këtë proces, patjetër”.
Fraksion.com