Orban për Iranin: BE-ja të përafrojë qëndrimin me SHBA-në dhe Izraelin
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të mbajë një qëndrim më të përafërt me SHBA-në dhe Izraelin sa i përket mosmarrëveshjeve ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit.
“Unë do të doja që qëndrimi evropian, i cili nuk është i qartë sa i përket çështjes iraniane, të orientohet drejt qëndrimit të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Orban në një konferencë për media në Budapest.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, më 8 janar, u bëri thirrje fuqive botërore të braktisin një marrëveshje bërthamore me Iranin e cila ishte arritur në vitin 2015 .
Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018.
Trump tha se duhet të ketë angazhim për një marrëveshje të re me Iranin.
Por, Irani, i cili mohon të ketë ambicie bërthamore, ka refuzuar bisedimet e reja.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se ai ka biseduar me presidentin e Iranit, Hassan Rohani, nga i cili ka kërkuar që Teherani të respektojë marrëveshjen e 2015-ës.
Ministrat e jashtëm të BE-së do të takohen më 10 janar në Bruksel, për të diskutuar tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Orban, i cili shpesh e ka kritikuar politikën e BE-së, u takua me presidentin Trump vitin e kaluar.
Lideri amerikan e pati vlerësuar qëndrimin e ashpër të Orbanit mbi migracionin, një çështje për të cilën të dy udhëheqësit kanë vizione të ngjashme.
Orban gjithashtu ka marrëdhënie të afërta me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Kryeministri hungarez tha se Budapesti do t’i mbajë trupat në Irak, për sa kohë që qeveria në Bagdad qëndron pranë marrëveshjes midis dy vendeve.
Sidoqoftë, Orban shtoi se ekzistojnë planet e gatshme në rast se trupat hungareze duhen evakuuar, gjë që sipas tij, do të ndodhte “menjëherë” nëse Iraku tërhiqet nga marrëveshja.
BE-ja dhe anëtarja e NATO-s, Hungaria kanë një prezencë prej rreth 150 ushtarësh në rajonin kurd të Irakut.
Fraksion.com