AktualitetPolitikëTë fundit

Kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria; Greminger: Partner i angazhuar dhe udhëheqës i besueshëm

“Shqipëria ka treguar që ka qenë një partner i angazhuar i OSBE dhe një mbështetës i fortë i organizatës tonë dhe jam mjaft mirënjohës që Shqipëria ka tashmë këtë mundësi të drejtojë organizatën tonë”.

Kështu deklaroi sot Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Greminger mirëpriti marrjen e Kryesisë së OSBE-së nga Shqipëria për vitin 2020, teksa theksoi se, “është e qartë që Kryesia e Shqipërisë të OSBE-së është një arritje historike. Në fjalimin tuaj kryeministër ju e theksuat këtë dhe e thatë mjaft qartë”.

Greminger u shpreh se Shqipëria përgjatë kësaj Kryesie mund të mbështetet tek Sekretariati i OSBE dhe tek ai.

“Moto e Shqipërisë në zbatimin e angazhimeve tona së bashku mua më duket kjo moto mjaft e mirë. Në të vërtetë të gjithë 57 shtetet anëtare mund të bëjnë më shumë për të forcuar zbatimin e angazhimeve të tyre në të tre dimensionet në  fushën politiko- ushtarake, në fushën ekonomike dhe të mjedisit dhe në fushën njerëzore”, – tha Greminger.

Sekretari i i Përgjithshëm i OSBE shtoi se, “Kryesia e OSBE është një mundësi për Shqipërinë që të udhëheqë dhe gjithashtu dhe të mësojë praktika të mira dhe të shkëmbejë dhe ndaj eksperiencën”.

“Besoj se Shqipëria është veçanërisht një udhëheqës kredibël, i besueshëm në këtë kuptim, sepse Shqipëria është përballur me mjaft sfida të sigurisë vetë dhe veçanërisht ato të cilat kanë një natyrë ndërkufitare”, – theksoi ai.

“Siç e tha Kryeministri sot në mëngjes, Shqipëria ka një prezencë në terren të OSBE-së për shumë vite dhe unë e mirëpres Kryesinë e Shqipërisë dhe qëllimin për të përdorur këtë eksperiencë të drejtpërdrejtë në mënyrë që në të ardhmen të maksimizojë potencialin e saj në këtë drejtim”, – nënvizoi Greminger.

Gjithashtu ai vlerësoi përpjekjet e bëra deri tani drejt aprovimit të planit të unifikuar për këtë vit.

“Ne kemi nevojë sa më shpejt për një buxhet decent, në mënyrë që të dalim nga ky çark që kërkon të bëjmë më shumë çdo vit me më pak burime financiare”,  tha Greminger.

 

Fraksion.com