Avioni që u rrëzua në Iran, bëri përpjekje të kthehej
Aeroplani i Ukrainës që u rrëzua të mërkurën në Iran, me 176 njerëz në bord, ka bërë përpjekje të kthehej në aeroport, thanë hetuesit iranianë.
Boeingu 737-800u rrëzua vetëm disa minuta pasi u nis nga aeroporti i Teheranit, duke mos lënë asnjë të mbijetuar.
Hetimet fillestare zbuluan se avioni ka pasur një problem derisa po dilte nga zona e aeroportit dhe se është përfshirë nga flakët.
“Aeroplani, i cili fillimisht u nis drejt perëndimit, ndryshoi drejtimin për shkak të një problemi. Ai ka qenë duke u kthyer në aeroport në momentin kur është rrëzuar”, tha shefi i Organizatës së Aviacionit Civil të Iranit, Ali Abedzadeh.
Më herët, Irani tha se nuk do ta dorëzojë kutinë e zezë – me të dhëna nga fluturimi – te Boeingu apo Shtetet e Bashkuara.
Me rregullat globale të aviacionit, Irani ka të drejtë t’i udhëheqë hetimet, por kompanitë e prodhimit janë shpesh të përfshira.
Rrëzimi i aeroplanit ndodhi vetëm disa orë pasi Irani kreu sulme me raketa në dy baza amerikane në Irak.
Megjithatë, nuk ka prova se dy ngjarjet janë të lidhura.
Tensionet Uashington-Teheran kanë arritur kulmin prejse SHBA-ja ka vrarë me dron një komandant të lartë ushtarak të Iranit, më 3 janar.
Fraksion.com