AktualitetTë fundit

Video; Ambasada amerikane: Ja si BKH dhe SPAK do veprojë si FBI për të hetuar korrupsionin

Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar sundimin e ligjit, ku një nga përpjekjet kyçe është themelimi i Byrosë së Hetimit, BKH-së.

BKH do të jetë një nga dy elementët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

BKH-ja do të jetë njësia hetuese e SPAK dhe do të veprojë në mënyrë të ngjashme me FBI-në amerikane. Ajo do të përbëhet nga hetues të pavarur apolitikë, të cilët do të hetojnë korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar.

Elementi i dytë i SPAK do të jetë Zyra e Prokurorit të Posaçëm, ose SPO, e cila do të çojë në gjykatë çështjet e hetuara nga SPAK.

Në të kaluarën njerëzit me para apo pushtet mund të ndikonin në sistemin gjyqësor që të vendosnin në favor të tyre. Sapo të themelohen, BKH dhe SPAK do të punojnë së bashku në mënyrë që ish-zyrtarë të korruptuar dhe bosë të krimit të organizuar të japin llogari.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka dhënë pothuajse 4 milionë dollarë për BKH-në. Kjo ndihmë do të shkojë për trajnimin e hetuesve të BKH-së. Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara do të ofrojë trajnim të nivelit më të lartë për të hetuesit e BKH-së në Akademinë e FBI-së në Virxhinia dhe në Shqipëri për të siguruar që hetuesit e BKH-së të jenë hetues kriminalistikë shumë të aftë.

Institucionalizimi i BKH-së

Këshilltarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara po punojnë për t’u siguruar që BKH të ketë vendin e punës, administratën dhe procedurat administrative të përshtatshme për të kryer punën e saj. Shtetet e bashkuara do të mbështesin suksesin organizativ afatgjatë të BKH-së.

Prokurimi i pajisjeve teknologjike

BKH-së do t’i nevojitet të mbajë të sigurtë rrjetin e sajë të pajisjeve teknologjike, për të siguruar që hetuesit të kryejnë punën e tyre. “Ne do të kontribuojmë me financime për të siguruar që BKH të ketë financimet e nevojshme për të ndërtuar një rrjet të teknologjisë më të mirë dhe të pavarur”, tha Ambasada.

Krijimi i standardeve për aplikantët në BKH

Hetuesit e BKH-së do jenë pjesë e një force elitare hetuese dhe puna e tyre do të jetë sfiduese fizikisht dhe mendërisht. “Ne do të ndihmojmë në zhvillimin e standardeve të rrepta fizike dhe mendore për suksesin e tyre për të vlerësuar integritetin dhe ndershmërinë e aplikantëve në BKH, ne jemi duke trajnuar ekspertë të rinj poligrafikë në administratën e testimeve poligrafike duke përdorur pajisje që kemi dhuruar”.

Hetuesit e BKH-së do të jenë ndër zyrtarët e zbatimit të ligjit më të trajnuar dhe të verifikuar me hollësi në Shqipëri.

BKH do të jetë këtu shumë shpejt

Pritet të fillojë shpejt një rinovim tërësor i ndërtesës së selisë qendrore të ardhshme të BKH. Pajisjet e teknologjisë janë në rrugë e sipër. Pajisjet poligrafike kanë mbërritur dhe poligrafët e parë janë diplomuar tashmë. Dhe shumë shpejt do të nisë puna për të rekrutuar një profesionist të kalibrit të lartë për të shërbyer si drejtor i parë i BKH-së.

“Shtetet e Bashkua janë të përkushtuar për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për zhvillimin e sistemit etik, transparent dhe profesional të drejtësisë që qytetarët e saj meritojnë. Askush nuk është mbi ligjin”, shprehet Ambasada amerikane në Tiranë.

Fraksion.com