Trump: Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përsëriti të hënën qëndrimin e tij se Iranit nuk do t’i lejhohet kurrë të ketë armë bërthamore.
Në një postim në Twitter, të shkruar me shkronja të mëdha, Trump tha:
“Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”.
IRAN WILL NEVER HAVE A NUCLEAR WEAPON!
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) January 6, 2020
Postimi vjen një ditë pasi Teherani ka njoftuar se ka hequr dorë nga angazhimet e ndërmarra me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Me këtë marrëveshje, Irani ka kufizuar aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimt të sanksioneve ndërkombëtare.
Marrëveshja është arritur midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, gati pesë vjet më parë, për të siguruar se Republika Islamike nuk zhvillon fshehurazi armë bërthamore.
Trump e ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018, duke thënë se kushtet e saj nuk kanë qenë mjaftueshëm të ashpra sa për ta penguar Iranin nga krijimi i armës bërthamore.
Irani nuk ka pranuar të rinegociojë marrëveshjen, duke këmbëngulur se programi i tij bërthamor ka qëllime rreptësisht paqësore.
Tërheqja e tij nga marrëveshja vjen pak ditë pasi një sulm i SHBA-së ka vrarë udhëheqësin e forcës Kuds të Iranit, Qasem Soleimani, më 3 janar.
Fraksion.com