“Rritet qarkullimi i gripit”; Manastirliu: Shërbim 24 orë për urgjencat pediatrike
Ndërsa kurba e qarkullimit të virusit të gripit është në rritje, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu siguroi se shërbimi do të jetë 24 orë në tre qendra shëndetësore në Tiranë, pa pasur nevojë që të shkohet në spital për urgjencat pediatrike që mund të trajtohen në qendrat shëndetësore, në kushte të mira dhe me profesionistë pediatër të kualifikuar.
Manastirliu inspektoi qendrën shëndetësore nr. 10 në Tiranë, e cila është një prej qendrave që është kthyer në qendër 24 orëshe për të përballuar fluksin e pacientëve në sezonin e dimrit.
“Virusi i gripit, sipas sistemit të survejancës ka një intensitet mesatar, me tendencë rritje, ndaj ne i jemi përgjigjur kësaj situate me garantimin e shërbimit shëndetësor 24 orësh në 7 ditë të javës në qendrat shëndetësore të Tiranës, ku edhe fluksi është më i lartë. Janë 3 qendra shëndetësore, ajo nr. 10 që do të mbulojë zonën e ish-Oxhakut, qendra shëndetësore nr. 8 në zonën e ish-bllokut, qendra nr. 7 në Laprakë, të cilat ofrojnë shërbim shëndetësor për fëmijët në moshën pediatrike edhe gjatë natës”, u shpreh ministrja Manastirliu gjatë inspektimit në qendrën nr. 10 në Tiranë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bëri një apel prindërve të përdorin qendrat shëndetësore për fëmijët e tyre, pa patur nevojë të drejtohen në QSUT. “Të gjitha shërbimet përkatëse që sot merren në QSUT apo deri dje janë marrë në QSUT do të vijojnë të merren në këto qendra shëndetësore. Mjekët janë të kualifikuar, kemi marrë masa për furnizimin me barna dhe material mjekësore”, tha Manastirliu.
Sipas sistemit ALERT të survejancës, në Shqipëri, sikundër në të gjithë vendet Europiane po qarkullon virusi I tipit A, nëntipi A/H1 dhe qarkullimi i virusit është me intensitet mesatar, me tendencë rritje, një situatë e zakonshme dhe e pritshme për stinën. Janë rreth 11 mijë raste në javë me infeksione respiratore. Situata është normale, e zakonshme dhe e pritshme për stinën.