AktualitetBota+Të fundit

Bolton: Jam i gatshëm të dëshmoj

Ish Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, John Bolton tha të hënën se ai është i gatshëm të dëshmojë në gjyqin që synon shkarkimin e Presidentit Donald Trump, nëse Senati ia kërkon këtë gjë.

Një dëshmi e zotit Bolton në Senat do t’u jepte demokratëve një element kyç në lidhje me përpjekjet e Presidentit Trump për të bindur Ukrainën të ndërmerrte hetime, nga të cilat ai mund të përfitonte politikisht.

Zoti Bolton, një mbështetës i fortë i fuqisë amerikane në të gjithë globin, ishte për 17 muaj rresht këshilltar i sigurisë kombëtare të Presidentit Trump deri sa ai e shkarkoi shtatorin e kaluar në një klimë mosmarrëveshjesh për politikat e SHBA ndaj Iranit, Koresë së Veriut dhe Afganistanit.

Në prag të votimit të Dhomës së Përfaqësuesve muajin e kaluar mbi ngritjen e akuzave për shkarkimin e zotit Trump, hetuesit vendosën që të mos e kërkonin paraqitjen e zotit Bolton. Ata shqetësoheshin se kjo mund të çonte në një betejë të gjatë ligjore në gjykatat amerikane për çështjen nëse ai do të duhej të dëshmonte apo do t’i përmbahej udhëzimit të Presidentit, i cili ua kishte ndaluar ndihmësve kryesorë të paraqiteshin. Disa prej ndihmësve iu përmbajtën udhëzimit, të tjerë jo.

Por ndërsa gjyqi i zotit Trump në Senat po afron, edhe pse asnjë datë nuk është vendosur, zoti Bolton tha në një deklaratë se atij i takon të “zgjidhë çështjet serioze të shtruara, sa më mirë që të jetë e mundur për të, bazuar në një shqyrtim të kujdesshëm dhe të studiuar.”

Ai tha: “Kam arritur në përfundimin se, nëse Senati kërkon dëshminë time, jam i gatshëm të dëshmoj”.

Zoti Bolton ishte në qendër të debateve të rëndësishme për politikën e jashtme të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë përpjekjet e zotit Trump për të bindur Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy që të hapte hetime rreth njërit prej sfiduesve të tij kryesorë demokratë në zgjedhjet e 2020-s, ish-nënpresidentit Joe Biden, djalit të tij Hunter dhe një teorie konspiracioni, tashmë të diskredituar, sipas së cilës Ukraina u përpoq të minonte fushatën zgjedhore të kandidatit Trump në vitin 2016.

Në një moment gjatë hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve, avokati i zotit Bolton tha se klienti i tij ka “njohuri personale” rreth takimeve dhe bisedave që lidhen me Ukrainën “të cilat ende nuk janë diskutuar në dëshmitë e deritanishme”.

 

Fraksion.com