Tha se gjeti shërimin për diabetin; Reagojnë kolegët: Veç kjo bën vaki në Kosovë
Kirurgu abdominal, Arbër Morina, pretendon se sëmundja e pashërueshme e diabetit, në fakt mund të shërohet me metodat kirurgjike. Po, ndaj postimit të Morinës në Facebook, kanë reaguar shumë mjekë, të cilët madje thonë se po ta kishte zbuluar këtë ilaç, Morina do të merrte çmimin Nobel për shëndetësi
Por të menjëhershme kanë qenë reagimet nga kolegë të tij shqiptar në Gjermani. Një prej tyre, Ali Ademaj, madje i ka kërkuar Morinës që të heqë postimin e tij për shkaqe të etikës mjekësore.
“Kjo është e pamundur. Në Klinikën Gjermane ku punoj unë, këso operacione i kemi bërë qysh para 25 vjetësh, por asnjë pacient nuk u shërua nga diabeti dhe marrja e insulinës. I nderuari koleg është mirë që këtë postim ta largoni se është kundër etikës mjekësore”, ka shkruar Ademaj.
Një reagim ka ardhur edhe nga një mjek tjetër. Jusuf Ulaj, me profesion neuropsikiatër dhe prikoterapeut, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se po ta zbulonte këtë ilaç, Morina do të ishte fitues i çmimit Nobel për shëndetësi.
“Pata shkruar para do kohe për një “mjek popullor” (HR) që thoshte se shëron sëmundjen e sheqerit me nutricion dhe e largon insulinën nga përdorimi. Sot paska dal një doktor – kirurg me diplomë (Arber Morina) dhe ka entuziazmuar aq shumë publikun sa për 4 orë qenka shpërndarë nga 600 persona në FB – me shumë komente dhe urime përcjellëse. Ky kirurg thotë se me ‘metodë minimale invazive’ shëron obezitetin e diabetin dhe insulinës i thotë lamtumirë. E shkruan numrin e tel. personal dhe fton qytetarët që kanë nevojë t’i lajmërohen. Jam i sigurt, se zbulimi i ilaçit për shërimin e diabetit dhe largimin e insulinës nga përdorimi të rreth 200 milionë përdoruesve/botë do të jetë lajm global dhe zbuluesi do të marrë çmimin Nobel. Prandaj kujdes, ruajuni dhe mos merrni turr në kësi ftesa qesharake!”, ka shkruar Ulaj.
Ndërkaq lidhur me postimin e Morinës, ka reaguar edhe drejtoresha e Klinikës Endokrinologjike në QKUK, Venera Berisha – Muharremi.
Në një artikull shkruar për Gazetën Shneta, Berisha – Muharremi ka thënë se pas Burdushit dhe Hetem Ramadanit tani fatkeqësisht edhe doktori manipulon me Diabetikët dhe Obezët.
Ndërkaq, në postimin e Morinës janë edhe disa komente tjera, reagime nga endokrinologë të cilët kanë hedhur poshtë mundësinë e shërimit të diabetit, e aq më pak me metoda kirurgjike.
“Zotëri a e din ti se diabeti melit është sëmundje e pashërueshme? Është sëmundje kronike, progresive metabolike trajtimi i së cilës bëhet me protokolle të caktuara ndërkombëtare. Bëhu serioz dhe puno në degën për të cilën ke kryer shkollimin. Dr. Valton Saiti, internist – endokrinolog”, thuhet në një koment të postuar nga Ilir Saiti.
Fraksion.com