AktualitetPolitikëTë fundit

Pampuri: PD do anulojë koncesionet në Shëndetësi

“Koncesioni i sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë, njësoj si ai i chek up-it apo ai i laboratorëve, përbën një nga provat më flagrante të korrupsionit të qeverisë”, tha sot në një deklaratë për shtyp, ish-deputetja e PD-së  Oriola Pampuri, ndërsa theksoi se PD do anulojë koncesionet në shëndetësi.

Sipas Pampurit koncesioni është vjedhje  dhe i ka marrë buxhetit 5 milionë euro më shumë.

“Koncesioni i sterilizimit është vjedhje e hapur e një shërbimi që shteti mund ta kryente vetë me shumë më pak para. Që kur nisi nga funksionimi, ky koncesion 10 vjeçar i ka marrë buxhetit rreth 5 milionë euro më shumë. Edhe Urdhri për të kryer më pak operacione, nga ministria e shëndetësisë me justifikimin banal dhe abuziv se janë shteruar fondet është një tjetër rast i hapur abuziv për shpërdorimin e fondeve të shëndetësisë duke ua vënë ato në shërbim të PPP ve dhe koncesioneve. Kështu ulja e numrit të operacioneve bën që pacientët duhet të presin në radhë, gjë që agravon maksimalisht gjendjen e tyre”, shprehet ajo.

Po ashtu Pampuri thekson se “Partia Demokratike është e vendosur ta anulojë këtë koncesion”.

 

Fraksion.com