AktualitetOp-EdTë fundit

Të huajt nuk janë njësoj në Gjermani

 Nga Maria Rigoutsou

 

Në një kohë që disa të huaj shihen me sy pozitiv në Gjermani, të tjerë priten me rezerva e paragjykime të mëdha. Po pse është kështu? A ka të bëjë kjo me ngjyrën e lëkurës? Me vendin nga vjen një i huaj? #letsfaceit

“Kam tre vjet që kërkoj një apartament. Kam shkruar 30-40 e-maila, por nuk kam marrë përgjigje. Thjesht nuk më shkruajnë. Nuk mund të gjej shtëpi”, thotë Amiri, një 44 vjeçar sirian që jeton në një apartament të përbashkët me disa vetë dhe kërkon një banesë për veten. Amiri që nuk dëshiron as të tregojë emrin e vërtetë dhe as fotografinë ëndërron “për një jetë normale”, dhe viziton për këtë një kurs gjuhe të gjermanishtes. Shpresa e tij është të punojë si shofer kamioni nga korriku i vitit të ardhshëm. Në zyrën e punës ai është i regjistruar si punëkërkues, dhe nëse gjen një apartament, ka mundësi të marrë edhe kuotën e ndihmës sociale që jepet për banimin. “Nuk e kuptoj, pse nuk më duan qiradhënësit. Paratë i kanë të garantuara nga shteti. Ata do t’i marrin patjetër paratë. Edhe dikush që punon, mund ta humbasë punën, por qiradhënësi nuk do t’i humbasë kurrë paratë e shtetit, apo jo?”

Ellada Polychroniou ka fat. Ajo ka lindur në Gjeorgji. Familja e saj ka origjinë greke dhe gjuhët e saj janë rusishtja dhe greqishtja. Mjekja 36 vjeçare, që punon në një spital të Kölnit nuk e pati aspak të vështirë të gjente një apartament. “Nuk kam pasur asnjëherë probleme në Gjermani, pse jam e huaj. Unë punoj në një sektor mjaft të ndjeshëm, atë të shëndetit. Edhe pacientët dhe kolegët kanë qenë gjithmonë shumë të sjellshëm me mua.”

Ngjyra e lëkurës si argument?

Shumë qytetarë në Gjermani do të mendonin ndoshta, se është “normale” që Amiri ka vështirësi, më shumë se Ellada, sepse ai është refugjat dhe me ngjyrë. Apo jo? Andreas Zick, nga Universiteti i Bielefeldit ka hulumtuar me vite paragjykimet. “Prej 17 vitesh në bëjmë sondazhe përfaqësuese. Tani tek çdo i dyti person që pyesim, praktikisht ka paragjykime negative, adresim të tipareve negative për grupe të caktuara dhe në veçanti për azilkërkuesit dhe refugjatët”, thotë eksperti.

Paragjykimet veprojnë shpesh fshehtas. Ato i ndjen më shumë, se i dëgjon në shprehje konkrete. Ato i gjen në një vështrim, një sjellje të caktuar, një gjest. Sa herë kemi menduar, që më mirë të mos ulemi në krah të një arabi me mjekër të gjatë në metro? Nuk i dihet asnjëherë…ka pasur kaq shumë akte terroriste këto vite në Europë. Përveç kësaj dëgjon kaq shumë për mentalitetin e tyre, fenë…

Por si krijohen paragjykimet? Pse mendon çdo i dyti gjerman negativisht për njerëzit me ngjyrë? Dhe pse është ndryshe tek njerëzit me lëkurë të bardhë? “Shumë paragjykime kanë gjurmë në histori, për shembull paragjykimet ndaj myslimanëve. Sot e dimë, se stereotipet e para për myslimanët, që i gjejmë edhe sot, në kohët moderne janë krijuar përmes përshkrimeve të udhëtimit nga udhëtarë europianë në vendet myslimane…kemi po ashtu gjurmë edhe nga koha e nacionalsocializmit”, thotë Andreas Zick për DW. Në studime del qartë, se pikërisht ata që kanë shumë pak kontakte, kanë edhe pak përvojë me të huajt, dhe paragjykimi e bllokon përvojën, sipas Zick.

Paragjykimet mund të çmësohen

Paragjykime ka në Gjermani edhe për të huajt nga vendet e BE-së. Një shembull i mirë është kriza greke. Grekët janë dembelë, ata nuk paguajnë tatimet, vijnë në Gjermani vetëm për të marrë ndihmën sociale. Këto janë pohime, që shumë grekë në Gjermani i kanë dëgjuar si “shaka”. “Shitini ishujt, ju grekë të falimentuar”, shkroi në titullin kryesor njëherë gazeta e madhe gjermane “Bild”. Kurse “Spiegel” informoi për “fakelaki”, që ishte një “zarf plot me para”, që të ecësh përpara në Greqi.

Andreas Zick thekson efektin e tyre. “Ne e pamë në kohën e krizës greke dhe politikës së kursimeve, kur BE vendosi një diktat të fortë kursimi për Greqinë. Shumë vetë për të justifikuar e gjetur miratim për këtë, nxorrën nga sirtaret paragjykimet kundër Greqisë e grekëve.”

Të huajt nuk janë njësoj, pikërisht sepse ka kaq shumë paragjykime të ngulitura thellë. Por ato edhe mund t’i çmësosh. “Ne shohim në studime, që përvoja dhe kontakti, kontakti ndërkulturor është frenues i mirë kundër paragjykimeve. Të gjitha studimet tona tregojnë, se njerëzit që jetojnë në rajone me numër të madh të huajsh, kanë më pak paragjykime, më pak probleme dhe konflikte me të huajt”, thekson studiuesi Andreas Zick./DW

 

Fraksion.com