AktualitetBota+Të fundit

Pompeo: Vrasja e Soleimanit shmangu një sulm të pritshëm

Vrasja nga forcat amerikane e udhëheqësit të forcës elitë “Quds” të Iranit gjatë një sulmi ajror në Irak, ka nxitur thirrje nga për përmbatje, tek ato për hakmarrje.

Ministri iranian i Punëve të Jashtme Mohammad Javad Zarif e quajti vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani “një akt terrorizmi shtetëror dhe shkelje të sovranitetit të Irakut”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha sot se vrasja e tij shmangu një “sulm që pritej të ndodhte nga momenti në moment” kundër interesave amerikane. Departamenti amerikan i Mbrojtjes shtoi se Soleimani “po hartonte në mënyrë vazhdueshme plane për të sulmuar diplomatët dhe anëtarët e shërbimit amerikan në Irak, si dhe në të gjithë rajonin”. Gjenerali ishte një nga strategët kryesorë ushtarakë të Iranit.

“Martirizimi i Soleimanit do ta bëjë Iranin më të vendosur t’i rezistojë ekspansionit amerikan si dhe të mbrojë vlerat tona islamike”, tha Presidenti iranian Hassan Rouhani në një deklaratë. “Pa dyshim që Irani dhe vendet e tjera që kërkojnë liri në rajon do të hakmerren”, shtoi ai.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi tha se sulmi ishte kryer “pa u këshilluar” me Kongresin dhe se rrezikonte “të provokonte një përshkallëzim të mëtejshëm e të rrezikshëm të dhunës”. Ajo shtoi se “SHBA dhe bota nuk mund ta përballojnë përshkallëzimin e tensioneve deri në pikë që të mos ketë kthim pas”.

Ministri i jashtëm i Britanisë Dominic Raab u bëri thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbatje.

Një zëdhënës i grupit palestinez Hamas tha se vdekja e gjeneralit “hap dyert e rajonit për të gjitha zhvillimet e mundshme, përveç qetësisë e stabilitetit”. Bassem Naim tha se “përgjegjësia për këtë është e SHBA-së”.

Një zëdhënës i qeverisë kineze tha se Kina “e kundërshton përdorimin e forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare”. Ai tha se Pekini “u bën thirrje të gjitha palëve përkatëse, veçanërisht SHBA-së për vetëpërmbatje si dhe për parandalim të përshkallëzimit të tensioneve”.

Senatori amerikan Jim Risch, kryetari republikan i komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senat shkruante në Twitter se “sot u dha drejtësi”, duke shtuar se siç kishte paralajmëruar edhe më parë qeverinë iraniane, ajo nuk duhet “ta merrte si dobësi përmbatjen e arsyeshme amerikane ndaj sulmeve të mëparshme të Teheranit”.

“Ky është një akt i fortë përshkallëzues në një rajon tashmë të rrezikshëm”, tha ish-nënpresidenti Joe Biden, një nga kandidatët demokratë për garën presidenciale. Presidenti amerikan Donald Trump tha se zoti Biden “duhet t’i japë popullit amerikan një shpjegim mbi strategjinë dhe planet për të garantuar sigurinë për trupat dhe personelin e ambasadës, amerikanët dhe interest amerikane si brenda dhe jashtë vendit si dhe për partnerët tanë në të gjithë rajonin e më gjerë”.

Moshen Rezaei, ish-komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit tha se “Teherani do të hakmarret fuqishëm ndaj SHBA-së”./VOA

 

Fraksion.com