AktualitetRajoniTë fundit

Maqedonia e Veriut: Spasovski kryeministri i ri teknik i vendit

Në 100 ditët e ardhshme, duke filluar prej nesër Republika e Maqedonisë së Veriut do të udhëhiqet nga qeveria teknike, që do të duhet të organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të parashikuara për më 12 prill, sipas marrëveshjes së partive më të mëdha politike në vend.

Pritet që parlamenti deri në mesnatë të zgjedhë qeverinë teknike, kryeministër i së cilës do të jetë Oliver Spasovski, deri tani zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme.

Kryeministri aktual, Zoran Zaev paradite dorëzoi dorëheqjen e tij në parlament.

Siç informojnë nga kabineti i kryetarit të parlamentit, dorëheqja do të dorëzohet edhe te presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.

LSDM-ja propozoi edhe dy zëvendësministra shtesë, atë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska dhe në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Sanella Shkrijel.

Spasovski është diplomuar në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë”, pranë Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup, ndërsa për momentin është magjistër i së Drejtës Administrative në këtë fakultet.

Në qeverinë teknike VMRO-DPMNE-ja propozon ministra të Punëve të Brendshme dhe të Punës dhe Politikës Sociale, Nake Çulev dhe Rashella Mizrahi si dhe zëvendësministra shtesë të Financave, Gordana Dimitrievska Koçoska, Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Nevenka Stamenkovska Stojkovski dhe të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.

Propozim i VMRO-DPMNE-së për ministër të Punëve të Brendshme është Nake Çulev, profesionist shumëvjeçar në sferën e sigurisë, i cili kishte punuar në Agjencinë për Zbulim. Ai është kriminalist i diplomuar me studime pasdiplomike për paqe dhe zhvillim të Institutit për Studime të Mbrojtjes dhe Paqësore pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” , Shkup.

 

Fraksion.com