AktualitetTë fundit

Arrestohen dy persona në Rinas; Njeri, punonjës i aeroportit

Operacioni i koduar   “New Start” ka vënë në pranga dy persona në Rinas, të cilët akuzohen për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve me dokumente të falsifikuara.

Mes të arrestuarve është një punonjës i skanerit në aeroportin e Rinasit, i identifikuar si R. K., 43 vjeç, banues në Tiranë.

Policia kufitare e ka proceduar edhe më parë pasi është kapur në zonën sterile me 2700 euro dhe telefon celular. Mbi të rëndojnë dy vepra penale, të cilat janë “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.

E arrestuara e dytë është Xh. K., 23 vjeçe, banuese në Mat që dyshohet për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.

Ajo tentoi të udhëtojë në drejtim të Italisë me dokumentacion të rregullt, por pas dyshimeve të punonjësve të Policisë Kufitare mbi qëllimin e udhëtimit dhe arsyet e dhëna, është kaluar në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm, ku i është gjetur një kartë italiane e falsifikuar.

Dyshohet se punonjësi i aeroportit bashkëpunoi me persona të tjerë, të cilët për të siguruar paraprakisht dokumente të falsifikuara italiane me gjeneralitete italiane për të kaluar shtetasen Xh.K., nëpërmjet aeroportit të Rinasit tranzit drejt aeroportit të Romës, Milano, me destinacion final në Mbretërinë e Bashkuar.

Operacioni u realizua nga Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Vijon puna për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfsihrë në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Tiranës për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com