AktualitetBota+Të fundit

Uashingtoni paralajmëron Phenianin: Jo prova me raketa

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Robert O’Brien tha të dielën se ai nuk dëshiron të spekulojë lidhur me kërcënimin e Phenianit për një “dhuratë Krishtlindjesh” për Shtetet e Bashkuara, por shtoi se Uashingtoni do të “zhgënjehej shumë” nëse Pyongyang teston një raketë bërthamore ose me rreze të gjatë veprimi.

Gjatë një interviste për rrjetin televiziv ABC zoti O’Brien tha se vendi do të ndërmarrë veprimet e duhura, si një fuqi udhëheqëse ushtarake dhe ekonomike nëse Koreja e Veriut bën prova të kësaj natyre.

Ai shtoi se Uashingtoni ka shumë “mjete në dispozicion” për t’u përgjigjur.

Komentet e tij vijnë ndërsa në Korenë e Veriut partia në pushtet e udhëhequr nga Kim Jong Un-i ka nisur një takim në mesin e njoftimeve se Pheniani do të shpallë një qëndrim më të vendosur ndaj Shteteve të Bashkuara lidhur me bisedimet bërthamore. Lajmi u njoftua të dielën nga media shtetërore.

Pritet që javën tjetër udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un të njoftojë hollësitë e asaj që është cilësuar si një “rrugë e re” për Korenë e Veriut, pas skadimit të një afati që Pheniani i pati vendosur Shteteve të Bashkuara për të ofruar një propozim më të mirë për bisedimet bllokuara bërthamore.

Mbulimi nga media shtetërore i takimit të Partisë së Punës të Koresë së Veriut nuk ofroi detaje rreth drejtimit që do të marrë vendi.

Agjencia Qendrore koreane e Lajmeve përmendi një qëndrim “anti-imperialist” dhe forcimin e mbrojtjes kombëtare, por nuk dha hollësi të tjera.

“Takimi plenar po vazhdon”, thuhet në njoftimin e agjencisë koreanoveriore të lajmeve, që nënkupton se bëhet fjalë për një takim disa ditor.

Koreja e Veriut ka bojkotuar bisedimet bërthamore për muaj të tërë dhe kohët e fundit ka kërcënuar se do të rifillojë provat bërthamore dhe ato me raketa me rreze të gjata veprimi. Një zyrtar tha më herët këtë muaj se çarmatimi bërthamor nuk do të jetë pjesë e negociatave.

Këto kërcënime, kryesisht nga zyrtarë të rangut më të ulët, shihen gjërësisht si një përpjekje për të shtuar presionin ndaj Shteteve të Bashkuara.

Fjalimi i përvitshëm i Vitit të Ri i udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un pritet të ofrojë një dëshmi më të fortë të drejtimit që do të marrë vendi në vitin 2020. Në fjalimin e vitit të kaluar, ai paralajmëroi për një “rrugë të re” nëse bisedimet bërthamore nuk do të përparonin.

 

Fraksion.com