AktualitetPolitikëTë fundit

Shengeni Rajonal, Rama: Për asgjë nuk e tradhtoj popullin tim të Kosovës

Kryeministri Edi Rama, në fund të mesazhit të urimit për Vitin e Ri 2020, risolli në vëmendje projektin e Shengenit Rajonal, duke garantuar se “për asnjë çmim, në asnjë rast dhe për asgjë në këtë botë, nuk e tradhëtoj popullin tim, vendin tim, njerëzit e mi”.

“Dua të flas për Shengenin Rajonal, si një nga prioritetet tona dhe as nuk e fsheh dot që më kanë lënduar shumë miq kosovarë, ndjekës të kësaj faqeje, as nuk mundem dot të rri pa ju thënë si fillim, se unë, për asnjë çmim, në asnjë rast dhe për asgjë në këtë botë, nuk e tradhëtoj popullin tim, vendin tim, njerëzit e mi.

Dhe kur unë them: popullin tim, nuk kam parasysh vetëm popullin e Shqipërisë, por edhe të Kosovës. Kur them: vendin tim, nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë, por edhe Kosovën. Kur them: njerëzit e mi, nuk kam parasysh vetëm shqiptarët në Shqipëri, por edhe shqiptarët në Kosovë”, – tha Rama.

“Unë tradhëtar, o motra e vëllezër nga Kosova? Po si, kur, pse dhe për cilën arsye tjetër në botë, përveç arsyes së mosarsyes të atyre që nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë, nuk duan të kuptojnë të vërtetat e thjeshta të një procesi publik, transparent, politik e ndërkombëtar, të nisur këtu e pesë vjet më parë?!” – tha Rama.

“Me sa duket, të tjerët kanë një zotësi, që unë nuk e kam, dhe dinë ta luajnë me sukses publik rolin, për mua të neveritshëm, të mëmëdhetarit të flaktë, të patriotit të përvëluar, të shqiptarit që digjet për flamur e vret për atdhe, thjesht sapo flitet për shkjaun”, – shtoi Kryeministri.

“E di që momenti është gjithnjë me ta, kur luhet me emocione e me rrena patriotike dhe kur plagët e paharrueshme të së shkuarës, preken djallëzisht për të ndezur zjarrin verbues në sytë e njerëzve të prekur nga e shkuara tragjike. Koha është me të drejtën dhe me të vërtetat që mund të mbulohen apo të deformohen përkohësisht, po kurrsesi nuk mund të treten e të zhbëhen”, – tha Rama.

“Shengeni Rajonal nuk është një Jugosllavi e re, siç thonë ata, që nuk bëjnë dot as një qeveri me dy parti, në Kosovën që e duan aq shumë. Sepse mesa duket, kur vjen puna te bashkimi i forcave për ta qeverisur Kosovën, ndarja e karrigeve ka më shumë rëndësi se Kosova (e mbetur në udhëkryq, pa strategji e pa qeveri). Po shyqyr janë të bashkuar bukur mirë, pa dallim partie, e madje edhe me do ustallarë në Tiranë, për ta hedhur Kosovën kundër “vëllaut të Vuqiqit” në Shqipëri, duke ia prishur gjakun dhe errur sytë njerëzve në Kosovë, me dokrra patetike e me rrena patriotike”, – theksoi Rama.

“Shengeni Rajonal nuk është as një plan serb për të pushtuar ekonomikisht rajonin, siç thonë disa, që Kosovën e kanë fushë për lojën e tyre politike, teksa Kosovës po ia marrin fytyrën e po ia tresin respektin në sytë e miqve të paçmueshëm amerikanë dhe europianë, pa të cilët shteti i Kosovës nuk do të kishte lindur dot kurrë. Çfarë mund të jetë më e dhimbshme, sesa t’i dëgjosh ata miq pazëvendësueshëm të thonë se, sot politikanët në Kosovë dinë çka duan për vete, po nuk dinë çfarë duan për Kosovën?

Shengeni Rajonal nuk është, jo e jo, mos e dhëntë kurrë Zoti i shqiptarëve, as ndonjë program a marrëveshje për të amnistuar krimet e regjimit gjakatar të Milosheviçit; për të harruar Reçakun; për të pafajësuar agresorin e djeshëm, e për të ndaluar betejën politike me Serbinë për pranimin e realitetit dhe njohjen e Kosovës shtet sovran”, – tha Rama.

Kush i thotë këto e shumë poshtërsi të tjera të këtij rendi, ku hyn edhe poshtërsia e madhe që unë paskam dashur të ndaj Kosovën, ose është krejt i paaftë për ta çuar përpara me sukses betejën politike me Serbinë, ose është krejt i nginjur me çka ka përfituar prej Kosovës dhe s’do më hiç, asnjë dhimbje koke për të ardhmen e popullit, se të vetën e ka siguruar ndoshta për shtatë breza, ose edhe të dyja bashkë, në të shumtën e rasteve. Ndërsa kush u beson atyre që e mbushin ajrin mes nesh, me këtë soj helmi patriotik, thjesht gabon. Shengeni Rajonal është një domosdoshmëri historike sot, kur beteja jonë është zgjerimi i hapësirës së lirisë së lëvizjes për njerëzit, mallrat, shërbimet e kapitalet”, – tha Kryeministri Rama.

“Veç ata që s’duan ta shohin, a s’dinë të lexojnë, nuk e kuptojnë se Shengeni Rajonal është rruga e vetme për Shqipërinë e për Kosovën, që të thyejmë barrierën kufitare mesveti dhe të garantojmë liri të plotë lëvizjeje mes të dyja shteteve, për njerëzit, për mallrat, shërbimet e kapitalet.

Shengeni Rajonal nuk sjell asgjë të re në aspektin e marrëdhënieve politike mes Serbisë e Kosovës dhe as në aspektin e marrëdhënieve politike mes Shqipërisë e Serbisë, në raport me Kosovën. Qëndrimi ynë në këtë drejtim as ka lëvizur, as nuk lëviz. Ne jemi një dhe kemi të njëjtin qëndrim. Pikë!” – u shpreh Rama.

“Unë besoj fort se Shengeni Rajonal, jo vetëm nuk e dëmton Kosovën në betejën politike me Serbinë, po përkundrazi, e ndihmon. Kush ndër zotërinjtë që i fryjnë këtij zjarri kundërshtie është kundër Shengenit Rajonal, sepse parasheh pasoja ekonomike negative për Shqipërinë e për Kosovën, thjesht nuk di çfarë flet.

Ndërsa kush është kundër Shengenit Rajonal për shkak të së shkuarës, duhet pyetur se si e ndihmoka Kosovën vetëpërjashtimi nga një nismë që ka të paktën pesë vjet që diskutohet dhe dakordësohet përgjatë procesit të Berlinit, ku Kosova ka qenë gjithnjë e pranishme e gjithnjë dakord në tryezë?” – tha Rama.

“Ne, Shqipëria, kemi arritur ta bindim Serbinë. Po, po, unë kam arritur ta bind Presidentin e Serbisë, që as të mos e kushtëzojë tryezën me asgjë që na ndan ne me Serbinë për Kosovën dhe që e ndan Kosovën me Serbinë, as të mos pretendojë që Shqipëria dhe Kosova, të mos e bëjnë marrëveshjen e lëvizjes së lirë të njerëzve e të mallrave në kufi, në rast se Kosova nuk pranon të bëjë të njëjtën gjë me Serbinë”, – theksoi Kryeministri.

“Ditën që Serbia nuk do t’i qëndronte kësaj pike themelore, s’do kishte më tryezë ku Shqipëria të merrte pjesë për këtë proces. Kjo do të thotë që Shengeni Rajonal na jep ne, Shqipërisë dhe Kosovës, mundësinë të bëjmë atë që nuk e kemi bërë dot për vite të tëra, sepse jo vetëm Serbia, po as Uashingtoni e Brukseli nuk na e kanë lejuar kurrsesi, madje na janë hedhur në fyt, sa herë e kemi përmendur: Hapjen e kufirit mes nesh dhe krijimin e një zone të vetme ekonomike”, – tha Rama.

Kryeministri shtoi se ende nuk ka dëgjuar një argument racional kundër këtij projekti rajonal.

“Tani ndjesë, po nëse flasim me argumenta e jo me emocione, unë ende nuk e kam dëgjuar një argument racional kundër këtij projekti rajonal, të mbështetur pa rezervë edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Ashtu sikundër ende nuk e kam gjetur në historinë e postkonflikteve të përgjakshme, ndonjë rast kur arritja e paqes ka ardhur me retorikën e luftës e me të sjellurit si në luftë, vite të tëra pasi lufta ka mbaruar e armët ia kanë lënë vendin politikës dhe diplomacisë.

Bashkimi Europian vitin e ardhshëm do të vendosë 1.2 miliardë euro në mbështetje të bashkëpunimit rajonal. Po edhe pa këtë, rritja e bashkëpunimit rajonal dhe pjesëmarrja e të dyja shteteve shqiptare në këtë dimension të ri bashkëpunimi, është një premisë më shumë që të rritet jo vetëm ekonomia e vendeve tona, po që të përmirësohet edhe klima e përgjithshme e të krijohen kushte më të favorshme për vetë dialogun mes Kosovës e Serbisë. Madje unë as nuk e dyshoj fare, se sa më shumë ne të përfshihemi së bashku, Shqipëri e Kosovë, në dimensionin rajonal, aq më shumë fuqizojmë dimensionin e realitetit tonë ndërkombëtarisht edhe në sytë e Serbisë, dhe aq më shumë ndihmojmë veten, në rrugën drejt njohjes së plotë e përfundimtare të Kosovës nga të gjithë.

Siç e thashë në fillim, ne nuk kemi kohë për të humbur në asnjë drejtim. Tërmeti ishte një shtysë e fortë për të gjithë ne, që të prodhojmë më shumë energji pozitive e të shpenzojmë më pak energji negative. Mundësitë janë të gjitha për t’u shfrytëzuar, jo për t’u humbur dhe asnjë mundësi për të zgjeruar rrugën e të ardhmes, nuk mund të humbet në emër të së shkuarës”, – tha Kryeministri Edi Rama në videomesazhin e tij.

 

Fraksion.com