Prishtinë: Aktakuzë ndaj dy grave për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot (30 dhjetor) dy aktakuza kundër të pandehurave Q.S dhe E.B, për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grup terrorist.
Sipas njoftimi të Prokurorisë e pandehura Q.S, “më 15 prill të vitit 2015 së bashku me bashkëshortin, kanë shkuar në Siri, me qëllim që t’i bashkohet organizatës terroriste, ISIS, nga e cila është financuar rregullisht, ndërsa i ka ofruar shërbime logjistike bashkëshortit të saj, i cili aktivisht ka luftuar në anën e organizatës terroriste, ISIS”.
Më këtë veprim, sipas prokurorisë, e pandehura ka kryer veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”.
Edhe ndaj të akuzuarës tjetër, rëndon e njëjta akuzë.
Sipas prokurorisë “E.B më 26 gusht të vitit 2014, me dashje dhe vetëdije të plotë, e ka lëshuar Kosovën dhe bashkë me katër fëmijët e saj, nga Kosova ka shkuar në Siri ku edhe është regjistruar si pjesëtare e grupit terrorist ISIS”.
“E pandehura E.B, duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave të marra nga ISIS, i ka ofruar shërbime logjistike bashkëshortit të saj i cili aktivisht ka luftuar në anën e organizatës terroriste, ISIS”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Në muajin prill të këtij viti, institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me SHBA-në, kanë kthyer në Kosovë 110 kosovarë, duke përfshirë: katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë që ishin duke qëndruar në kampe refugjatësh në Siri.
Pothuajse të gjitha gratë e kthyera kanë qëndruar në arrest shtëpiak për disa muaj.
Ato tashmë po përballen me aktakuza për pjesëmarrje në luftëra të huaja.
Një shkelje e tillë sipas ligjeve të Kosovës është e dënueshme deri në 15 vjet burgim.
Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 burra, gra dhe fëmijë udhëtuan drejt këtij vendi, ku shumica prej tyre u bënë pjesë e organizatave terroriste.
Deri në shpartallimin e grupit militant terrorist të ashtuquajtur Shteti Islamik (IS), shumica prej kosovarëve në Siri, jetuan në territoret që kontrolloheshin nga IS-i./rel
Fraksion.com