Dënohet shkencëtari kinez për shkelje të etikës të riprodhimit
Një gjykatë kineze dënoi të hënën me tre vjet burg shkencëtarin që thotë se qëndron pas foshnjeve të para në botë të ngjizura me anë të ndryshimit të gjeneve.
Vitin e kaluar, shkencëtari He Jiankui tronditi komunitetin shkencor, duke njoftuar lindjen e vajzave binjake, gjenet e të cilave mendohet se ishin ndryshuar për të krijuar imunitet ndaj virusit të Sidës HIV. Ai u gjobit gjithashtu me tre milion juanë (430,000 dollarë), njoftoi agjencia e lajmeve Xinhua.
He Jiankui, i cili ka mbaruar Universitetin Stanford në Kaliforni, u dënua nga një gjykatë në Shenzhen për “kryerje të paligjshme të ndryshimit të gjeneve në embrionin njerëzor të destinuar për riprodhim”, tha agjencia Xinhua.
Dy studiues të tjerë që punonin me të u dënuan po ashtu. Sipas agjencisë, që citonte vendimin gjyqësor, të tre ata nuk kishin kualifikimin e nevojshëm për të punuar si mjekë dhe kishin shkelur me vetëdije rregullat dhe parimet etike të Kinës.
Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura pasi çështja kishte të bënte me “privatësi personash”, tha Xinhua.
Fraksion.com