AktualitetPolitikëTë fundit

“Brenda 2020 të gjithë futen në shtëpi të reja”; Rama: Askush nuk do e kalojë vitin e ri 2021 në çadër

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur për herë të tretë Komitetin Kombëtar të Rindërtimit pas tërmetit me pasoja tragjike.

“Brenda vitit 2020 të gjithë ata që jetojnë në fshat dhe për arsye legjitime nuk janë spostuar në sistemin e qirave në zonat urbane, por kanë kërkuar çadër dimërore në oborret e tyre, duhet të futen në shtëpi të reja. Askush nuk do e lejojë që ta kalojnë vitin e ri 2021 në çadër. Ky është objektivi i parë, besoj që me fillimin e pranverës në mars, të fillojmë punën dhe të bëjmë spostimin e familjeve që jetojnë në fshat në çadra, në shtëpitë e reja.”, tha kryeministri Rama.

Ai deklaroi se spitalet, qendrat shëndetësore dhe shkollat, duhet të ndërtohen të gjitha sa më parë dhe se viti i ri shkollor për nxënësit që kanë humbur shkollën nga tërmeti, duhet të nisë në shkolla të reja, shumë më të mira nga ato që kishin.

Rama tha se lagjet e reja, brenda gjashtë muajve të parë do të jenë në kantier.

“Natyrisht do të kërkojë më shumë kohë se bëhet fjalë për ndërhyrje masive, por objektivi është që deri në fund të vitit, në pjesën më të madhe të kenë gjetur zgjidhje akomodimet e banorëve që janë me qera”, u shpreh Rama.

Sa i takon donacioneve, ai qartësoi situatat për sa i takon informacioneve që janë në drejtim të shtetit.

“Kemi 65.57 milionë lekë të reja nga donatortët e vegjël, 414 milionë lekë të reja nga donacionet më të mëdha 8.64 milionë euro dhe 1.01 milionë dollarë”, deklaroi Rama.

 

Fraksion.com