“Shumë punë dhe një shans”; Çfarë detyre ka presidenca e BE-së?
Kroacia më 1 janar 2020 do të kryesojë presidencën e BE-së duke pasuar Finlandën. Kjo nënkupton një mori konferencash, që do të drejtohen nga diplomatët kroatë. Çfarë përfiton vendi prej kësaj?
Mposhtja e klisheve
E tani Kroacia ka një premierë. Vendi më i ri anëtar që nga viti 2013, do të kryesojë presidencën e Këshillit të BE-së për herë të parë. Shumë qytetarë të BE-së edhe në Bruksel njohin prej Kroacisë vetëm bregdetin si një destinacion për pushime. Tani qeveria kroate ka rastin të tregojë edhe anë të tjera të vendit. Kjo mund të funksionojë, mendon politologia Louisa Slavkova pas presidencës bullgare më 2018, e cila gjithashtu e kryesoi për herë të parë BE-në. „Në varësi se sa i madh është një vend, ia del që të vendosë një apo dy thekse në BE. Përpos kësaj vazhdohet politika e vendit paraardhës në këtë rotacion”, thotë Louisa Slavkova në një intervistë për fondacionin Körber. Bullgaria si presidente e radhës është bërë në qarqe të caktuara më e njohur tek gazetarët, politikanët dhe disa biznesmenë. „Kjo periudhë ka tërhequr vëmendjen ndaj këtij vendi. Ndoshta kjo ndihmon për të kapërcyer disa klishe të përhapura për vendin”, thotë politologia.
Edhe Kroacia mund të arrijë të njëjtën gjë. Se sa i qendrueshëm është ky efekt dhe çfarë influence konkrete ka ndaj turizmit apo investimeve, kjo është e paqartë. Sidoqoftë në përgjithësi vlerësimet e ekspertëve dhe analistëve janë, se periudha e presidencës së një vendi në BE shërben si një platformë e mirë për marrëdhëniet me publikun e vendit përkatës që e kryeson BE-në në rotacion.
Diplomatët dhe nëpunësit kroatë do të drejtojnë qindra mbledhje në Bruksel, por edhe do të përfaqësojnë BE-në në konferenca ndërkombëtare si ajo e Klimës, samite dhe gjatë vizitave në Azi apo Afrikë. Kroacia do të prezantohet sa më mirë dhe të aplikojë për pranimin në zonën Shengen pa kontrolle të lëvizjes së personave. Sigurimi i kufijve dhe kontrolli i migracionit si rrjedhojë do të jenë padyshim pikërëndesa të presidencës kroate.
Ballkani Perëndimor një pikërëndesë
Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliæ Radman ka marrë përsipër të angazhohet për afrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ai dp ta verë në lëvizje Francën, që të heqë dorë nga vetoja, me të cilën ka bllokuar zgjerimin e BE-së me hapjen e negociatave të antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo veto e papritur e Parisit në vjeshtë ishte një shok diplomatik për Gjermaninë, BE-në dhe për Kroacinë. „Por edhe një shok i tillë mund të jetë i dobishëm”, tha ministri i Jashtëm Radman në portalin e internetit Euractiv. „Kjo ndoshta ndihmon paksa, që ne të fokusohemi dhe të procedojmë me seriozitet, kur është fjala për vendime konkrete. Ne përpiqemi të forcojmë vetëdijen se sa i rëndësishëm është zgjerimi edhe për BE-në e jo vetëm për vendet fqinjë.” Kroacia do të angazhohet si ndërmjetësuese e ndershme, tha ministri i Jashtëm. Pika kulmore e presidencës kroate do të jetë samiti i zgjerimit më 6 dhe 7 maj në Zagreb, në të cilin duhet të skicohet rruga për daljen nga qorrsokaku./DW
Fraksion.com