Rama me banorët e prekur nga tërmeti: Brenda prillit 2020 përfundon rindërtimi i banesave që nuk kanë pësuar dëme në konstruksion
Gjatë pushimit të drekës, Kryeministri Rama dhe anëtarët e kabinetit qeveritar takuan banorët e prekur nga tërmeti që janë strehuar në kompleksin “Fafa” në Durrës, në pritje të ndërtimit të shtëpive të tyre.
Kryeministri Rama tha se “shpreson që rindërtimi i banesave që nuk kanë pësuar dëme në konstruksion të përfundojë brenda periudhës mars-prill 2020”. “E mira është që shumica dërrmuese e konstruksioneve janë ‘Ok’, kështu që besoj se deri nga marsi, prilli do të jenë ‘Ok’”, tha Rama.
Anëtarët e kabinetit qeveritar u interesuan për gjendjen e banorëve, ndërsa i informuan ata mbi masat që janë marrë nga qeveria deri në rindërtimin e banesave që janë dëmtuar plotësisht.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi, njëkohësisht drejtuesi qendror i Operacionit për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore, informoi banorët mbi bonusin e qirasë, njëra prej masave të marra në mbështetje të familjeve të prekura nga tërmeti.
Ndërkohë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku i kushtoi rëndësi masave që janë marrë për fëmijët, në mënyrë që ata të kapërcejnë frikën që mund të ketë lënë tërmeti.
Ajo solli shembullin personal, kur tha se vajza e saj vogël vetëm 6-vjeçe e ka përjetuar me frikë tërmetin, një frikë që tejkalohet me angazhimin në shkollë dhe në jetën sociale. “Për ne ka rëndësi që ju duhet të jeni të sigurt që shtëpitë do të rindërtohen”, u tha ajo banorëve.
Fraksion.com