Arabia Saudite; 5 dënime me vdekje për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi
Pesë persona u dënuan me vdekje në Arabinë Saudite për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën Saudite në Stamboll në vitin 2018.
Gazetari saudit i Washington Post u pa për herë të fundit në publik kur ai hyri në konsullatën saudite në Stamboll në Turqi më 2 tetor.
E dashura e tij e priti atë për dhjetë orë përpara ndërtesës, pastaj thirri policinë. Agjentët menjëherë rrethuan ndërtesën dhe kontrolluan çdo dalje.
Mediat turke ishin të parat që hodhën dritë mbi vrasjen e tij dhe këmbëngulën që ai ishte vrarë brenda ambienteve të konsullatës.
Historia rriti tensionet midis Turqisë dhe Arabisë Saudite.
Presidenti amerikan, Donald Trump, atë kohë në një intervistë televizive tha se besonte që homologu i tij rus, Vladimir Putin, “ndoshta” ishte i përfshirë në vrasje.
Për zhdukjen e Khashoggi reagoi edhe Parlamenti Europian i cili kërkoi hetim ndërkombëtar ndërsa Kancelarja gjermane Angela Merkel pezulloi eksportin e armëve në Arabinë Saudite.
Në muajin shtator të këtij viti gazeta turke ‘Daily Sabah’ publikoi transkripte të bisedës mes anëtarëve të skuadrës saudite që ekzekutoi gazetarin Jamal al Khashoggi brenda ambienteve të konsullatës dhe të bisedës mes këtij të fundit dhe ekzekutorëve pak përpara se të vdiste.
Në transkriptimin e plotë të regjistrimeve u zbulua se Maher Abdulaziz Mutreb dhe doktori Salah Muhamed Al-Tubaigy ishin personat që shpërfytyruan për rreth 30 minuta trupin e gazetarit Jamal Khashoggi, eshtrat e të cilit nuk u gjetën kurrë.
Mendohet se pjesët e trupit të Khashoggi u futën në valixhe dhe u larguan nga ambasada.
Sidoqoftë, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe kritikët e regjimit besojnë se Princi i Kurorës Mohamed bin Salman, sundimtari de-fakto i Arabisë Saudite, është urdhëruesi i krimit.
Fraksion.com