“30-vjetori”: Basha: Historia e LDK-së, krenaria e Kosovës
“Sot në këtë 30-vjetor të themelimit, personalisht dhe në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, dua nga zemra t’i uroj mbarësi e suksese simotrës tonë Lidhjes Demokratike të Kosovës, drejtuesve dhe mbështetësve të saj. LDK lindi në një kohë të errët pushtimi, si shpresë e shqiptarëve të Kosovës për çlirim kombëtar dhe demokraci. Në themel të njërës prej arritjeve më të mëdha të historisë së shqiptarëve, në themelet e Pavarësisë së Kosovës qëndron shpirti, djersa dhe gjaku i drejtuesve, mbështetësve dhe atyre që besuan te LDK. Historia e LDK është histori e krenarisë së Kosovës, është pjesë e krenaria kombëtare”, shprehet Basha.
Po ashtu, Basha kujtoi liderin themelues të LDK-së Ibrahim Rugova dhe e konsideroi atë si lider shpirtëror të Kosovës.
“Veçanërisht në këtë ditë, është çasti të kujtojmë me nderim themeluesin e LDK, udhëheqësin e shpirtit të Kosovës së pavarur, presidentin Ibrahim Rrugova, si shembull largpamësie, emancipimi, kurajoje dhe qëndrese. Drejtuesve të LDK-së bashkë me urimin, dua t’i garantoj se te Partia Demokratike e Shqipërisë, do të gjejnë përherë mbështetjen vëllazërore, partneren e qëndrueshme dhe të palëkundur të Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe të zhvilluar.Sfidat i kemi përpara por bashkimi i forcave, vizionit dhe vullneteve tona, do të bëjë të mundur ti përmbushim me sukses ato në shërbimin më të mirë të interesave tona kombëtare. Gëzuar 30-vjetorin të dashur vëllezër dhe motra të LDK! Zoti e bekoftë Kosovën, Shqipërinë, dhe shqiptarët kudo ku janë!”, shprehet Basha.
Fraksion.com