Tritoli në makinën e Albert Kuliçit; Kryeprokurori Çela: Angazhim maksimal për të vënë para përgjegjësisë autorët
Pas shpërthimit me tritol të makinës së zv/drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Albert Kuliçi, mëngjesin e sotëm ka reaguar edhe Kryeprokurori Olsian Çela.
Albert Kuliçi, me origjinë nga Tropoja, ka patur në dorë vitet e fundit çështjet më të bujshme në Vlorë, duke filluar nga skandali i madh i tjetërsimit të pronave në Karaburun dhe Zvërnec, ku i përfshirë ishte edhe biznesmeni Pëllumb Petritaj dhe 4 zyrtarë u dënuan me burg, deri te koncesioni i parkingjeve në qytetin bregdetar, i cili u anulua pasi u konstatuan një seri shkeljesh.
Kuliçi ka hetuar edhe një aferë në Albpetrol, si dhe ka kërkuar vendosjen e sekuestros për një pallat 11 katësh në Vlorë, për të cilin u akuzua për shpërdorim detyre ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika.
Reagim i Prokurorit të Përgjithshëm. Olsian Çela
Në orët e para të mëngjesit të datës 21.12.2019, në qytetin e Vlorës një sasi eksplozivi është hedhur dhe ka shpërthyer në automjetin e prokurorit Albert Kuliçi, i cili e ushtron këtë detyrë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Në lidhje me ngjarjen e mësipërme janë duke u kryer hetime nga kjo prokurori dhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë.
Aktet e dhunës ndaj magjistratëve, qartësisht synojnë pengimin e funksionimit normal të sistemit të drejtësisë dhe cënojnë rëndë rendin dhe sigurinë publike. Për këto arsye, është i nevojshëm angazhimi maksimal i të gjithë organeve ligjzbatuese për vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Prokurori i Përgjithshëm inkurajon të gjithë magjistratët të vazhdojnë të kryejnë me përgjegjësi dhe përkushtim detyrat e tyre kushtetuese dhe i siguron ata se do të kenë mbështetjen e tij maksimale. Është gjithashtu mjaft e rëndësishme që të gjithë të kontribuojnë në krijimin e një klime normaliteti dhe mbështetjeje ndaj institucioneve të drejtësisë, pasi kjo do të ndihmonte në mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë.
Fraksion.com