AktualitetTë fundit

Shpërthim tritoli në makinën e Prokurorit të Vlorës

Një shpërthim tritoli dëmtoi mëngjesin e së shtunës makinën e prokurorit të Vlorës Albert Kuliçi, e cila ndodhej e parkuar në lagjen “29 nëntori”, në Vlorë.

Policia tha se nga shpërthimi janë shënuar dëme materiale. Burimet hetimore pohuan se makina e prokurorit ishte parkuar para banesës ku ai jetonte me qera. Hetimet po përfshijnë edhe sekuestrimin e kamerave në zonën përreth, për të zbuluar autorët.

Sipas burimeve të Prokurorisë së Vlorë,s vitet e fundit Prokurori Albert Kuliçi ka hetuar disa nga çështjet e rëndësishme të lidhura me krime ekonomike dhe financiare, përfshirë ato të tjetërsimit të pronave në zonën bregdetare të Karaburunit, koncesionin e parkingjeve në Vlorë, ku u morën të pandehur edhe ish zyrtarët e lartë të Bashkisë së Vlorës, sekuestro ndërtimesh me shkelje ligjore, etj.

Prokurori i Vlorës Albert Kuliçi nuk ka dalë ende në procesin e vetingut për njerëzit e drejtësisë, që po kryhet në Shqipëri. Kryetari i Gjykatës së Vlorës Skënder Haluci foli për gazetarët pas incidentit duke e vlerësuar prokurorin Kuliçi si “ një nga prokurorët më të mirë në Shqipëri që punonte me pasion”.

“Janë më shumë se 4 milionë të sekuestruara me masa provizore. Është e vetmja pistë, pasi sulmi është për shkak të profesionit të tij. Kam besim tek Policia dhe Prokuroria se kjo ngjarje do të zbardhet”, tha Haluci per gazetarët.

I pyetur nga gazetarët se a kanë lidhje sulmet me ngjarje konkrete zoti Haluci tha “se kanë lidhje konkrete dhe jo konkrete me ngjarjet që ndodhin në Vlorë, pasi çështja e pronave është më e nxehta që Qarkun e Vlorës”.

Pak kohë më parë një tjetër prokuror, ai i Durrësit, Arjan Ndoja, u qëllua me armë zjarri në automjetin me te cilin udhetonte. Nga atentati shoferi i Prokurorit humbi jetën dhe prokurori Ndoja mori plagë jashtë rrezikut për jetën.

 

Fraksion.com