AktualitetBota+Të fundit

Kompania zviceriane pezullon aktivitetin në gaz-sjellësin Nord Stream 2

Një kompani që operon anijet që vendosin seksione të një gaz-sjellësi të ri gjermano-rus, tha të shtunën se po pezullon punën pasi Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi legjislacionin që kërcënon me sanksione.

Presidenti Trump nënshkroi të premten projektligjin e miratuar në fillim të kësaj jave nga Senati që parashikon sanksione ndaj individëve dhe kompanive të përfshira në shtrimin e tubacioneve të gaz-sjellësit Nord Stream 2 nën Detin Baltik nga Rusia në Gjermani.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë një kundërshtar i hapur i gaz-sjellësit, i cili do të transportojë gaz natyror në rreth 1.200 kilometra. Së bashku me vendet e Evropës Lindore që gjithashtu kundërshtojnë projektin, qeveria amerikane argumenton se gaz-sjellësi do të rrisë varësinë e Evropës tek energjia e Rusisë.

Të shtunën, kompania Allseas me qendër në Zvicër, e cila operon anije që shtrojnë seksione të gaz-sjellësit nënujor, tha në një deklaratë të shkurtër se në pritje të zbatimit të Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), Allseas ka pezulluar aktivitetet e saj për gaz-sjellësin Nord Stream 2.

Kompania “do të presë udhëzime që përmbajnë sqarimet e nevojshme rregullatore, teknike dhe mjedisore nga autoriteti përkatës i SHBA”, shkruhet në deklaratë.

Ndërtimi i gaz-sjellësit është tashmë në hapat e fundit, dhe nuk është e qartë se çfarë ndikimi do të kenë sanksionet amerikane. Zëdhënësi i gaz-sjellësit Nord Stream 2, Jens Mueller tha në një deklaratë me email se “përfundimi i projektit është thelbësor për sigurinë e furnizimit evropian”.

“Ne së bashku me kompanitë që mbështesin projektin do të punojmë për përfundimin sa më shpejt të gaz-sjellësit,” shtoi ai.

Qeveria gjermane shrehu keqardhje për miratimin e legjislacionit të SHBA. “Qeveria gjermane hedh poshtë sanksione të tilla jashtë-territoriale,” tha zëdhënësja Ulrike Demmer në një deklaratë. “Ato prekin kompanitë gjermane dhe evropiane dhe përbëjnë një ndërhyrje në punët tona të brendshme.”

 

Fraksion.com