AktualitetTë fundit

KLP në mbrojtje të Kuliçit: Çdo sulm kundër prokurorëve, atentat terrorist ndaj drejtësisë

KLP reagoi pas shpërthimit me tritol të makinës së zv/drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Albert Kuliçi, mëngjesin e sotëm.

KLP në deklaratën e saj shkruan se nuk dëshirojnë të paragjykojë përfundimet e hetimit po gjithçka e quajnë si një sulm i shenjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij.

Këshilli i Lartë shton se do ti sigurojë prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme si dhe ju bënë thirrje dhe një herë organeve ligjzbatuese për të zbardhur ngjarjen e sotme në mënyrë sa më të shpejtë.

Deklarata e plotë:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi mësoi me indinjatë të thellë për aktin kriminal që ka ndodhur sot, në orët e para të mëngjesit, kundër pronës të prokurorit Albert Kuliçi, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, u mblodh në një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar reagimin ndaj ngjarjes.

Pa dashur të paragjykojmë përfundimet e hetimit, të cilat i presim me padurim, ajo që ka ndodhur sot në Vlorë duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij. Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cenojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën nr. 1 të Këshillit.

Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme. Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.

 

Fraksion.com