AktualitetPolitikëTë fundit

“Zgjerimi i bazës të hetimit”; Blushi: “Solidariteti” vërteton se krimet e Dvoranit janë kryer në bashkëpunim

Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi ka reaguar lidhur me mbledhjen e sotme të komisionit hetimor parlamentar, për diskutimin e shkarkimit të kreut të shtetit, pas zgjatjes me katër muaj të afatit të punimeve dhe zgjerimit të fushës së hetimit.

Komisioni do të hetojë edhe vendimet e Ilir Metës mbi dekretet për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, si dhe do dëgjohet qëndrimi i Ardian Dovranit, kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i kallëzuar penalisht nga Presidenti.

Por këto vendime, Tedi Blushi i konsideron “marrje në mbrojtje nga përgjegjësitë penale të z.Dvorani, i cili është kallëzuar në Prokurori për veprimtarinë e tij të mirëdokumentuar kriminale”.

“Ky “solidaritet” vërteton se krimet e z.Dvorani janë kryer në bashkëpunim”, thekson zëdhënësi i Presidentit.

“Dihet botërisht respekti që ka për Komisionin e Venecias ky grup i strukturuar dhe i specializuar për dhunimin e Kushtetutës.Ndaj veprimet e tyre fundit në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës nuk janë asgjë tjetër veçse një presion i qartë politik ndaj organit të akuzës. Sa i përket shtyrjes së afatit të komisionit parlamentar, ne e kemi dhënë mendimin tonë: Punimet të shtyhen deri në 24 korrik 2022. Në këtë mënyrë deputetët e komisionit do kenë mundësi të përfitojnë akoma më shumë shpërblime financiare për çdo mbledhje”, shton Blushi.

 

Fraksion.com