AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Trump në qendër të debatit të kandidatëve demokrat

Shtatë kandidatët kryesor demokrat për zgjedhjet presidenciale amerikane, u përfshinë në një debat të nxehtë të enjten mbrëma, duke e cilësuar presidentin Donald Trump, si udhëheqësin më të korruptuar në historinë e vendit.

Të gjithë sfiduesit që synojnë kandidaturën demokrate për t’u përballur me presidentin Trump në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, thanë se e mbështesin miratimin e akuzave ndaj tij nga Dhoma e Përfaqësuesve, për shpërdorim të pushtetit dhe pengim të Kongresit.

“Ne duhet të përtërijmë integritetin e presidencës”, tha ish nënpresidenti Joe Biden, i cili edhe më tej kryeson në anketat kombëtare për të qenë kandidat i demokratëve. Më vonë, zoti Biden, duke komentuar ndarjen e mprehtë politike në mes të republikanëve dhe demokratëve që është thelluar në tre vitet e presidencës së zotit Trump, tha se refuzon “të pranojë pikëpamjet që ne kurrë nuk mund të bashkohemi përsëri”.

Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders, që e përshkruan veten si demokrat socialist dhe i cili renditet i dyti pas zotit Biden në shumë anketa, e quajti presidentin Trump “një gënjeshtar patologjik” i cili “i ka shitur njerëzit punonjës të këtij vendi”.

Senatorja Elizabeth Warren nga Massachusetts e përshkroi presidentin Trump si “presidentin më të korruptuar të shekullit”.

“Presidenti nuk është mbreti i Amerikës”, tha senatorja Amy Klobuchar nga Minnesota. Ajo krahasoi veprimet e presidentit Trumpit për t’i kërkuar Ukrainës që të hetojë zotin Biden dhe të birin, me skandalin e korrupsionit politik Watergate të viteve të 70-ta, që çoi në dorëheqjen e presidentit Richard Nixon, pasi u përball me shkarkimin.

Pete Buttigieg, nga South Bend, Indiana, tha se presidenti Trump “e ka bërë të qartë se nuk do të ndalet para asgjëje për të ruajtur pushtetin”.

Gjatë tërë debatit që u mbajt në universitetin në Los Angeles, kandidatët përsëritën sulmet ndaj zotit Trump si president i dështuar. Në të rrallë ata sulmuan edhe njëri tjetrin.

Zoti Biden dhe zoti Sanders, debatuan ashpër për sigurimet shëndetësore. Senatori Sanders mbrojti fuqishëm propozimin e tij për një program të përgjithshëm të sigurimit shëndetësor të drejtuar nga qeveria, ndërsa ish nënpresidenti Biden vazhdoi të bëj thirrje për reforma më të matura që do të lejonin amerikanët të bashkohen me një plan qeveritar.

Debati i radhës do të mbahet më 14 janar të vitit 2020 në universitetin Drake në Des Moines./VOA

 

Fraksion.com