Meta: Ruajtje e balancës mes gjuhës së urrejtjes dhe lirisë së shprehjes
Presidenti i Republikës, Ilir Meta uroi sot që viti i ardhshëm t’i gjejë mediet dhe gazetarët shqiptarë më të lirë, më të mbrojtur, më aktivë dhe gjithmonë pranë të vërtetës.
Meta përshëndeti sot në Konferencën Vjetore të Avokatit të Popullit “Liria pa urrejtje-Liria e shprehjes përballë të të drejtave të tjera të njeriut”, mbajtur në Hotel Rogner, ku theksoi se, “liria e shprehjes është një nga çështjet më të rëndësishme të demokracisë dhe sfidës madhore të shoqërive tona”.
“Liria e shprehjes është e drejta e individit dhe komuniteteve të shprehin mendimet dhe idetë e tyre pa frikën e shpagimit, censurës apo sanksioneve ligjore.Liria e shprehjes është një nga parimet më të shenjta që mbrohet rreptësisht nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Liria e shprehjes dhe e drejta e informimit, përveç të drejta kushtetuese themelore, janë të lidhura ngushtësisht edhe me parimin e ndërtimit të një shteti demokratik”, tha Meta.
Për këtë arsye, nënvizoi kreu i Shtetit, “angazhimi i shtetit dhe i shoqërisë në përkrahje të lirisë së të shprehurit është tregues për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjësinë publike në vend. Edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ka krijuar tashmë një praktikë solide të trajtimit të lirisë së shprehjes, ku ndër të tjera thekson se: ‘Nuk mund të ketë demokraci pa pluralizëm. Demokracia përparon bazuar në lirinë e shprehjes’”.
“Media, si zëdhënëse e opinionit publik, e bën pushtetin shtetëror më të prekshëm për njerëzit, më të kontrollueshëm dhe më transparent. Shkëmbimi i ideve dhe informimi i lirë janë mjetet, jo vetëm më të rëndësishme, por dhe më efikase për të kontrolluar demokracinë si formë e qeverisjes. Nëpërmjet tyre institucionet bëhen më të hapura, më efikase dhe më afër qytetarit”, tha Meta.
“Zgjerimi i hapësirës dixhitale edhe në Shqipëri, po ashtu shënon një numër jashtëzakonisht të madh të medieve dhe portaleve on-line, duke ofruar një larmi të pamatë informacioni. Kjo platformë hapësinore është e paprecedentë, jo vetëm për ne, por për të gjitha vendet e botës, dhe padyshim që mbart si përfitimet ashtu edhe rreziqet e veta. Ndër to, është edhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes, si formë për shpërndarjen, nxitjen, promovimin apo justifikimin e urrejtjes, dhunës dhe diskriminimit ndaj një personi apo komuniteti. Ndërkohë që fenomene të tilla nuk mund të lihen jashtë vëmendjes, nevojitet ruajtja e një balance të kujdesshme ndërmjet luftës ndaj gjuhës së urrejtjes dhe mbrojtjes së lirisë së shprehjes”, tha Meta.
Sipas tij, kufizimet ndaj gjuhës së urrejtjes nuk duhet të keqpërdoren me qëllim mbytjen e kritikës ndaj qeverisjes, e bindjes së ndryshme politike, e përkatësisë së besimit fetar, e kërkesës për llogaridhënie. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që ka një korrelacion ndërmjet lirive civile, ku përfshihet dhe liria e shprehjes, dhe nivelit të demokracisë së një vendi. Sa më e konsoliduar demokracia e një vendi, aq më llogaridhënëse janë institucionet, e aq më të shprehura dhe të mbrojtura janë liritë e individit”.
Fraksion.com